Presidentja Osmani për vrasjen e Liridonës: Krim monstruoz, duhet të marrë dënimin e merituar

13:13 | 02 Dhjetor 2023
presidentja-osmani-per-vrasjen-e-liridones:-krim-monstruoz,-duhet-te-marre-denimin-e-merituar

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka reaguar lidhur me vrasjen e Liridona Ademajt.

Ajo përmes, një postimi në profilin e saj në rrjetin social Facebook, ka shkruar se vrasja e saj është krim monstruoz që duhet të marrë dënimin e merituar.

“Ky krim i tmerrshëm kërkon veprim të shpejtë dhe vendimtar për t`u siguruar që drejtësia të mbizotërojë dhe që autorët ta marrin dënimin, i cili pasqyron peshën e kësaj vepre makabre penale”, ka shkruar Osmani.

Postimi i saj i plotë:

Vrasja e Liridona Ademajt është krim monstruoz që duhet të marrë dënimin e merituar.

Femicidi është dëshmi rrënqethëse që shpërfaq pabarazinë e rrënjosur thellë dhe dhunën me të cilën përballen gratë. Është një rrëfim tragjik i jetëve të shkurtuara brutalisht vetëm për shkak të gjinisë. Humbja e jetëve të grave nga duart e burrave është një njollë në ndërgjegjen tonë kolektive.

Prandaj, është nevojë urgjente që të forcohet zbatimi i ligjit dhe kryerësit e krimeve të tilla të llahtarshme të përballen me dënimet më të ashpra të parapara me ligj.

Ky krim i tmerrshëm kërkon veprim të shpejtë dhe vendimtar për t`u siguruar që drejtësia të mbizotërojë dhe që autorët ta marrin dënimin, i cili pasqyron peshën e kësaj vepre makabre penale.

Në këto momente të rënda për gjithë vendin tonë, ndajmë dhimbjen me familjen e Liridonës, e në veçanti me fëmijët e saj të cilët humbën nënën e tyre të shtrenjtë në rrethanat më monstruoze të mundshme.

Komento: