Privoi nga jeta gruan dhe renë, por a ishte trajtuar nga psikiatri Hasani?

15:59 | 24 Prill 2019

Të hënën ndodhi një ngjarje shumë e rëndë në Prishtinë, ku një burrë privoi nga jeta gruan, rejën dhe në fund edhe vetën.

Hasan Krasniqi, 61-vjeçar privoi nga jeta gruan e tij 60 vjeçare Hysnije Krasniqin dhe renë 28 vjeçare Remzien, e cila pas vetes la një vajzë 2 vjeçare.

Autori dyshohet të ketë pasur vazhdimisht çrregullime mendore. Në Kosovë janë edhe 170 persona me këso çrregullime mendore që kanë kryer vepra penale.

Me t’u dhënë ky lajm pati reagime të shumta se si duhet trajtuar nga shteti rastet si ai i Hasan Krasniqit.

Fondacioni “Together Kosova” tha se me vite janë duke ua tërhequr vëmendjen vendimmarrësve të vendit për problematikat e shëndetit mendor dhe pasojat që rrjedhin në mostrajtimin e këtyre problemeve.

Fqinjët dhe personat e tjerë që e njohën Hasanin thanë se ai vazhdimisht kishte pasur çrregullime mendore, madje edhe vitin e kaluar kishte tentuar ta privonte nga jeta bashkëshorten e tij.

Por, a ishte pacient i Qendrës Mendore në Prishtinë Hasan Krasniqi?

Për këtë çështje Gazeta Express ka biseduar me psikiatrin e kësaj Qendre, Sami Rexhepin.

Doktori ka konfirmuar se Hasan Krasniqi nuk ka qenë asnjëherë pacient i qendrës ku punon, por gjatë kësaj bisede Rexhepi flet për numrin e pacientëve që kjo qendër i trajton, për pacientët që kanë kryer vepra penale, se a janë të rrezikshëm këta persona dhe si qëndrojnë kosovarët me shëndetin mendor?

“Qendra e Shëndetit Mendor që ndodhet në Prishtinë ka gjithsej 1800 pacientë të rregullt. Në kuadër të kësaj qendre konsulta marrin edhe 200 pacientë të tjerë nga rajoni i Podujevës në këtë qytet dhe 135 të tjerë në Drenas. Pa u llogaritur vizitat që u bëhen në shtëpi, etj.”, tha psikiatri Sami Rexhepi.

Ndërsa, nën mbikëqyrjen e kësaj Qendre janë 170 pacientë që kanë kryer vepra penale/

“ Kemi170 pacinetë nën mbikëqyrje që kanë kryer vepra penale”, tha më tej doktori.

Këta persona fillimisht trajtohen në Qendrën e Shëndetit Mendor por kur të njëjtit kanë telashe më të mëdha dërgohen për në klinikën e Psikiatrisë.

“Pacientët trajtohen te ne, por kur nuk arrijmë t’i menaxhojmë udhëzohen për në klinikën e Psikiatrisë”, sqaroi Doktori.

Po ashtu nuk dihet nëse Hasan Krasniqi është trajtuar në Klinikën e Psikiatrisë, për të parë nëse ka qenë dhe për të dituar diagnozën e tij organet e hetuesisë sot kanë kërkuar përgjigje nga drejtori i klinikës së Psikiatrisë, Shaban Mecinaj.

Mecinaj tha se nuk i kujtohet nëse Hasan Krasniqi ishte pacient i tyre por këtë do ta vërtetojnë përmes arkivit të klinikës.

Nga çka vuajnë këta pacientë?

Doktori Sami Rexhepi tha se pacientët kryesisht vuajnë nga skizofrenia, psikoza-kronike dhe depresione të rënda.

Shtoi se kur pacientët janë në depresion të nivelit të rëndë, kanë ide të ndryshme që nganjëherë mund të jenë edhe të dhunshëm, e këtë e bëjnë nga frika.

“Pacientet nuk janë të dhunshëm, më shumë frikësohen, i bëjnë veprimet për ta mbrojtur veten e tyre. Nuk janë të rrezikshëm. Ne i trajtojmë që ata të funskionalizohen, integrohen, etj.”, tha Rexhepi.

A kanë shëndet mendor të mirë kosovarët?

Sa i përket shëndetit mendor në Kosovë e kemi ndër më të mirin dhe ndër më të zhvilluarin në rajon. Jemi para Shqipërisë, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë, etj., tha psikiatri, Sami Rexhepi.

Sidoqoftë, dyshohet se pikërisht për shkak të problemeve mendore në Kosovë humbën dy jetë.

Kjo ndodhi të hënën në kryeqytet, kur me mjet zjarri në ambientin ku qëndronte edhe një 2 vjeçare u privuan nga jeta dy gra, më pas autori privoi nga jeta edhe veten.

Komento: