
Ligji për Paga në sektorin publik doli të jetë i papranueshëm në disa nene për Gjykatën Kushtetuese.
Kjo e fundit doli me vendim pas ankesave që ka bërë Avokati i Popullit.
Sipas vlerësimit të Kushtetueses, ky Ligj i miratuar është në kundërshtim me Kushtetutën dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
E me këtë prekej edhe gjyqësori, duke pësuar ngritje e zbritje të pagave brenda sistemit, ku më pas solli edhe reagime.
Pas këtij vendimi, nga Shoqata Sindikale e Gjykatës Themelore në Prishtinë thonë se vendimi është marr duke u bazuar në Kushtetutë.
Megjithatë, kreu i kësaj Shoqate, Naim Rrustemi për Front Online ka thënë që nga kjo Qeveri po ndihen të nënvlerësuar.
“Këshilli Gjyqësorë ka pas të drejtë. Këshilli Gjyqësorë e ka sjell vendimin mbi bazën e asaj, duke u bazuar në Kushtetutën e Republikën e Kosovës, duke u bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2020, dhe rregulloren e Këshillit Gjyqësorë e ka sjell atë vendim, natyrisht duke u bazuar në grafikonin e koeficienteve të cilat i ka proklamuar qeveria, mirëpo ndërkohë ne jemi devalvuar me vendim të Qeverisë në këtë vit”, u shpreh ai.
Ai shprehet i pakënaqur për diskriminim që sipas tij, po i bëhet administratës.
Rrustemi për Front Online ka thënë që nga Qeveria kanë pritur të ulë diferencën e pagës që administrata e ka me gjyqtarët.
“Me vendim, me ligj, me kushtetutë ju takon ajo pagë, gjë që ne nuk jemi kundër, por në sistem ka të tillë që diferenca mes pagës së gjyqtarëve dhe administratës është vërtetë pak e madhe gjë që Qeveria ka thënë që do ta ulë diferencën në institucion nuk ka arritur të realizoj”, u shpreh ai për Front Online.
Avokati i Popullit e pati dërguar Ligjin për Paga në Gjykatën Kushtetuese pas ankesave nga 104 subjekte të ndryshme të sektorit publik. Ankesat kishin të bëjnë me ulje pagash, heqje shtesash apo trajtim joadekuat dhe jo të barabartë ndërmjet pozitave të përcaktuara me ligj.