
Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka komentuar rezultatet e sondazhit të OMNIBUS-it të kryer nga UBO Consulting.
Sipas këtij sondazhi, nëse zgjedhjet mbaheshin këtë të diel, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do të kryesonte me 48.5 për qind të votave.
Molliqaj për reagimet e opozitës pas këtyre rezultateve, ka theksuar se sulmet ndaj mediave që i publikojnë sondazhet janë të panevojshme.
Ai ka theksuar se sondazhi nuk krijon opinion, por thjesht reflekton gjendjen e momentit në opinionin publik.
“Me u sulmu media që e publikon lajmin, kjo është thënia e vjetër me sulmu lajmëtarin që e ka bërë lajmin. Sondazhi nuk krijon opinion dhe as nuk ia ndërron mendjen askujt. Gjithë ditën mundeni me vendos një parti qe shembull PSD-në që do t’i marrë 17 për qind, po e vendosim çdo javë që PSD ka me i fitu 17 për qind, nuk i fiton, kjo është ‘budallakia’ më e madhe që njerëzit janë duke menduar, sondazhi tregon se ku e ki gjendjen, prandaj unë besoj se opozita në vend se me sulmu është dashur ta marrë me shqetësim rezultatin”, ka deklaruar ai në RTV Dukagjini.
Sipas tij, opozita duhet të kuptojë se disa qasje janë gabim, duke theksuar nevojën për kritikë konstruktive ndaj Qeverisë.
Molliqaj ka thënë se opozita e lënë Kurtin sa më gjatë në pushtet pa kritikuar gabimet e tij.
“Edhe unë besoj se opozita është dashur ta kuptojë se disa qasje janë gabim. Cilat janë ato: me mëndu që duke mos kritikuar Kurtin, duke e lënë Kurtin sa ma gjatë në pushtet ai vet gabon dhe me gabime që ai shkakton i bie rezultati është qasje e gabuar, me autogola nuk shkohet në kampionat, me garu mes veti nuk funksionon. Opozita është dashur të shqetësohet për rezultatin dhe jo vetëm për vete por edhe për Kosovën”, ka thënë ai.
Ndërkaq, ai ka hedhur poshtë teorinë e “blerjes së sondazheve” nga RTV Dukagjini, duke thënë se është një teori e pavlefshme dhe se është e qartë që UBO Consulting nuk blihet e as nuk shitet, dhe këtë siç ka shtuar ai, e din edhe partitë opozitare.
Molliqaj ka bërë thirrje për opozitën që të shqetësohet më shumë për rezultatin dhe jo vetëm për interesat e tyre politike, por edhe për të mirën e Kosovës në përgjithësi.
“Me mëndu që Dukagjini i blen sondazhet, ata e din që nuk blihet, me mend që Dukagjini e blen UBO-në e dinë që as nuk blihet e as nuk shitet. Me u mundu me që në fakt duke dashur ta mund propagandën me propagandë veç dëm i vetit i kanë bërë. Ata janë duke sulmuar vetën e tyre, jo UBO-në e Dukagjinin”, ka deklaruar Molliqaj.