Lista Serbe kërkon takim urgjent me ambasadorët e Kuintit dhe BE-së

15:12 | 29 Dhjetor 2023
lista-serbe-kerkon-takim-urgjent-me-ambasadoret-e-kuintit-dhe-be-se

Lista Serbe njoftoi sot se do të kërkojë një takim urgjent me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, në radhë të parë me ambasadorët e Kuintit dhe të Bashkimit Evropian, për shkak të vendimit të komunës së Mitrovicës së Veriut, e cila ndau një ngastër prej 27,400 metra katrorë, nga Remonti Ushtarak, për Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës.

Nga vendet e Kuintit dhe Bashkimi Evropian, Lista Serbe do të kërkojë një reagim të menjëhershëm ndaj synimit të Prishtinës për të “shkaktuar tensione të reja dhe kërcënuar paqen dhe sigurinë e qytetarëve”.

Theksohet se do të kërkojnë që në takim të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e KFOR-it dhe EULEX-it, të cilët “në këtë kohë të paligjshmërisë dhe dhunës klasike institucionale duhet të reagojnë urgjentisht dhe ta pengojnë Kurtin të synojë të sjellë njësi parapolicore një-kombëtare që nuk kanë bazë ligjore për praninë e tyre në veri të Kosovës”.

Në deklaratë po ashtu theksohet se vendimi është i kundërligjshëm dhe kundër interesave të qytetarëve dhe se është marrë pa konsultim dhe debat publik në të cilin do të marrin pjesë qytetarët e pjesës veriore të Mitrovicës./FrontOnline/

Komento: