
Afati i fundit për regjistrimin e veturave me targa ilegale ka qenë më 16 dhjetor të 2023-tes.
Deri më sot, mbi 4 mijë qytetarë i kanë konvertuar targat e tyre në RKS.
E, pas kësaj date, asnjë veturë me targa të paregjistruara nuk janë lejuar të qarkullojnë në territorin e Kosovës.
Edhe në pak ato vetura që janë hasur, Policia e Kosovës i ka ndëshkuar.
Këshilltarja Politike e Ministrit dhe Zëdhënëse në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Nora Fetoshi për Front Online e ka bërë të ditur që deri më tani është gjobitur një veturë me targa ilegale, ndërsa një tjetre i është shqiptuar vërejtje.
Sipas saj, nëse haset përsëri në ndonjë prej tyre do të konfiskohen.
“Automjetet do të ndalohen nga Policia e trafikut rrugor dhe do të gjobiten për kundërvajtje në trafik dhe tabelat do t’i largohen automjetit, ndërsa nëse e njëjta veturë do të haset përsëri në qarkullim ajo veturë do të konfiskohet. Deri tani kemi pasur vetëm një rast të gjobës dhe një vërejtje që është shqiptuar nga Policia e trafikut rrugor”, ka thënë ajo për Front Online.
Ajo thotë se veturat e regjistruara më shumë i përkasin Mitrovicës së Veriut dhe Komunës së Leposaviqit.
“Nga fillimi i procesit, deri më 15 dhjetor mbi 4 mijë qytetarë kanë konvertuar targat e tyre nga ato ilegale në RKS, ku komunat Mitrovicë e Veriut dhe Leposaviqi prijnë me numrin më të madh të regjistrimeve”, ka thënë ajo.
Për t’i konvertuar targat ilegale, Qeveria e Kosovës ka bërë edhe lehtësia financiare.
Përveç kësaj, Fetoshi thotë që është mundësuar regjistrimi i veturave në të gjitha qendrat, pavarësisht vendbanimit.
“15 dhjetori i vitit të kaluar, ishte mundësia e fundit që të gjithë pronarët të cilët posedojnë mjete me targa ilegale si KM, GL, PR, PZ, DE, UR etj të cilat janë edhe relikt i kohës së Millosheviçit t’i kthejnë ato në targa të Republikës së Kosovës. Përveç lehtësirave financiare, në afatin e kaluar, ne ndryshuam edhe udhëzimin administrativ në mënyrë që qytetarët tanë të komunitetit serbë në veri të mund të regjistrojnë veturat e tyre me targat e regjionit në të gjitha Qendrat e Regjistrimit të Automjeteve pavarësisht vendbanimit apo vendqëndrimit të tyre”, thuhet në përgjigjen e këshilltares së Ministrit, Nora Fetoshit.
Targat KM, dhe me akronime të tjera serbe për qytetet e Kosovës janë lëshuar nga autoritetet serbe dhe konsiderohen të paligjshme nga autoritetet në Kosovë.
Çështja e targave ka shkaktuar kriza në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Fillimisht, më 31 korrik të vitit 2022 u ngritën barrikada ku më pas serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në veri, pasi u suspendua drejtori i policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq.
Kjo për shkak që ky i fundit kishte refuzuar të zbatonte vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në RKS./Front Online