
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në dhjetor të 2023-tes ka kritikuar opozitën që po dërgon ligje në Gjykatën Kushtetuese.
Kurti ka deklaruar se janë disa ligje të rëndësishme të reformës së Qeverisë që janë bllokuar.
“Aktivizmi i çuditshëm i cili na i vonon neve reformat dhe humbet kohën e çmuar të popullit të Kosovës. Nga 16 nëntori i vitit 2022 deri më 2 nëntor të këtij viti, pra një vit minus dy javë, i kemi 10 ligje super të rëndësishme të reformës sonë me të cilin kemi marrë besimin e qytetarëve në shkurt të vitit 2021”, pati deklaruar Kurti.
Përveç kryeministrit edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka folur të mërkurën për këtë çështje.
Haxhiu e ka cilësuar Gjykatën Kushtetuese si një nga institucionet që po e pengon reformën në drejtësi por edhe në fushat tjera e cila është shpëtim i opozitës.
“Gjykata Kushtetuese është një nga institucionet që po e pengon jetësimin e reformës jo vetëm në drejtësi por edhe në fushat tjera. Këtë po e them sepse opozita po e konsideron si shpëtim në mënyrë që të mos jetësohen reformat, qoftë në drejtësi qoftë në aspektin ekonomik financiar dhe ato që kanë të bëjnë me administratën publike”, u shpreh Haxhiu.
Ish-gjyqtari Kryeziu: Qasje e gabuar dhe e pakuptimtë deklaratat e pushtetit ndaj Gjykatës Kushtetueses
Karshi qëndrimeve të Kurtit e Haxhiut kundrejt Kushtetueses, ka folur njohësi i çështjeve ligjore dhe ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu.
Kryeziu e ka cilësuar si të gabuar dhe të pakuptimtë deklaratat e pushtit ndaj Kushtetutës.
Ai thotë për Front Online se për interes të shtetit duhet të bashkëpunojnë Qeveria me institucionet.
“Janë të pakuptimta këto deklarime, sepse autoritetet e shtetit kanë vetëm një detyrë, zbatushmërinë e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të cilat prodhojnë ligje. Opinioni publik e rrjetet sociale kanë të drejtë të japin mendimin e tyre por është qasje e gabuar nga pushteti ndaj institucioneve, për interes të shtetit duhet të bashkëpunojnë”, ka thënë Kryeziu.
Anton Quni: Goditje për demokracinë, tentimi i pushtetit për ndikuar në të gjitha institucionet
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka thënë se tentimi dhe interferimi i vazhdueshëm i ekzekutivit në të gjitha institucionet është goditje për demokracinë.
Quni thotë se kjo është e papranueshme për shtetin e Kosovës.
Ai ka kritikuar pushtetin se nuk po punojnë dhe në këtë rast po mundohen të gjejnë fajtorë pa faj.
“Kur s’ka punë ka fjalë, e për pasoj ka edhe fajtorë pa faj. Unë nuk dua të besoj që vetë ministrja Haxhiu beson në atë që thotë. Dua të besoj se ministrja Haxhiu e ka të qartë se në demokraci pushtetet janë të ndara. Ndërsa, tentimi dhe interferimi i vazhdueshëm i ekzekutivit në të gjitha institucionet është goditje për vetë demokracinë. Dhe një gjë e tillë është e papranueshme, e papërballueshme dhe e padurueshme për shtetin tonë”, tha ai për Front Online.
Sipas Qunit “as ministrja Haxhiu dhe as Qeveria nuk duhet të sillen më si autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës dhe të përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën, sepse kjo e drejt i takon saktësisht Gjykatës Kushtetuese”.
Deputeti Quni tha se sa ishin në opozitë partisë në pushtet i pëlqenin vendimet e Kushtetueses, ndërkaq sot po e akuzojnë në mungesë të rezultateve qeverisëse.
“Nuk duhet harruar se pushtetit të sotëm që ishte opozita djeshme, jo rrallë herë i pëlqenin vendimet e po të njëjtës Gjykatë Kushtetuese. Ndërsa, sot për mungesën e rezultateve qeverisëse nuk po lënë kënd pa e akuzuar. Faji për dështim në qeverisje u takon fajtorëve të vërtetë – qeveritarëve”, tha ai për Front Online.
Gruda i PDK-së: Sulmet e Haxhiut ndaj Kushtetueses janë mekanizëm për të mbuluar paaftësinë e Qeverisë
Kundrejt deklaratës së ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut se Gjykata Kushtetuese është në shpëtim të opozitës, kanë reaguar këta të fundit.
Nga PDK-ja qëndrimet e Haxhiut i kanë cilësuar si mbulushmëri e paaftësisë së Qeverisë ‘Kurti’.
Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në PDK, Përparim Gruda ka folur për Front Online.
Gruda tha se ministrja duhet ta mbrojt sistemin e drejtësisë e jo ta sulmoj.
“Sulmet ndaj sistemit të drejtësisë nga Haxhiu janë mekanizëm për të mbuluar paaftësinë për të çuar përpara reformat para votuesve të tyre, sulmet janë justifikime. Situatë absurde e krijuar nga deklarimet e ministres e cila është dashur ta mbrojë sistemin e drejtësisë”, tha Gruda.
Ai thotë se sa më shumë të afrohet data e zgjedhjeve aq më shumë do rritën kritikat e pushtetit.
Mashtrimet e fajësimet e qeverisë që është në fund të mandatit nuk kalojnë, thotë Gruda.
“Sa më shumë të ofrohet data e zgjedhjeve aq më shumë do të ashpërsohen kritikat qeveritare ndaj Gjykatës Kushtetuese, institucioneve të pavarura dhe opozitës që ju duhet për të kërkuar votën në zgjedhjet e reja. Mashtrimi, fajësimi ndaj opozitës nuk mund të kaloj ndaj kësaj qeverie që është në fundin e mandatit të saj”, thotë Gruda për Front Online.
Deputetja e AAK-së: Vetëvendosja ka ardh në pushtet në emër të plaçkitjes së shtetit, Kushtetuesja po e kryen punën profesionalisht
Edhe nga AAK-ja e kanë kritikuar pushtetit për deklarimet e tyre rreth Gjykatës Kushtetuese për pengimin e reformave në drejtësi.
Deputetja Time Kadrijaj ka folur për Front Online.
Ajo tha se Kushtetuesja nuk është në dispozicion të opozitës dhe askujt.
Deputetja e AAK-së, thotë se reformat që i shërbejnë Vetëvendosjes e kapjes së shtetit nuk kalojnë.
“Gjykata Kushtetuese po e kryen në mënyrë profesione punën e saj po interpreton sipas Kushtetutës së Kosovës dhe nuk janë në dispozicion të opozitës apo dikujt tjetër. Janë problematike deklaratat e krerëve të shtetit e ministres. Nuk po i ndalë as opozita e Kushtetuesja reformat në drejtësi por nuk kalojnë reformat që t’i shërbejnë Vetëvendosjes e kapjes së shtetit”, deklaroi Kadrijaj.
Kadrijaj tha se që tri vite qeverisje Vetëvendosja e ka dëshmuar që ka ardh në pushtet në emër të plaçkitjes së shtetit.
“Vetëvendosja ka ardh në pushtet në emër të plaçkitjes së shtetit se kanë pretenduar që qeveritë paraprake e kanë kap e këta do ta shkapin. Që tri vite qeverisje këta e kanë dëshmuar që e kanë kapur çdo institucion, borde, agjensione në institucionet publike duke i vendosur militantët e tyre”, thotë ajo.
Kadrijaj thotë se ka pasur tendenca të kapjes se sistemit të drejtësisë nga pushteti.
“Tendenca ka pasur që të kapët edhe sistemi i drejtësisë. Ka disa ligje që u kemi thënë para se të dërgohen në Kushtetuese që janë ligje antikushtetuese megjithatë i kanë aprovuar këto projektligje”, theksoi Kadrijaj për Front Online.
Front Online ka dërguar pyetje edhe tek Gjykata Kushtetuese për të marr një qëndrim karshi deklaratave të pushtetit aktual por të njëjtit deri në publikimin e këtij artikulli nuk janë përgjigjur.