Osmani në 25 vjetorin e Masakrës së Reçakut: Drejtësia i jep kuptim paqes

09:34 | 15 Janar 2024
osmani-ne-25-vjetorin-e-masakres-se-recakut:-drejtesia-i-jep-kuptim-paqes

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në 25-vjetorin e Masakrës së Reçakut ka theksuar rëndësinë e drejtësisë për t’i sjellë kuptim paqes dhe lirisë. Ajo ka përkujtuar masakrën brutale të shqiptarëve nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit dhe ka falënderuar ish-ambasadorin William Walker, i cili ishte zëri i viktimave

Osmani ka bërë nderime te varrezat e të rënëve në Masakrën e Reçaku, nga ku është shprehur se drejtësia i jep kuptim paqes e lirisë.

Ajo ka thënë se shqiptarët u masakruan duarthatë në mënyrë brutale nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, duke theksuar se ish-ambasadori William Walker ishte bërë zëri i viktimave të Kosovës.

“25 vjet pas luftës e pas Masakrës së Reçakut. Jemi këtu jo vetëm për të nderuar viktimat e regjimit gjenocidal të Millosheviqit, por për të përsëritur thirrjen tonë për drejtësi. Drejtësia i jep kuptim paqes, lirisë, e është e domosdoshme për pajtim. Edhe sot jemi këtu për të nderuar të rënët, të gjithë ata që duarthatë u masakruan në mënyrë brutale, duke kryer krime kundër njerëzimit nga regjimi i Millosheviqit. Jemi këtu për të falënderuar sërish ambasadorin William Walker që u bë zëri i viktimës kur në në një kohë s’kishim zë. Kur kishim nevojë për mbrojtjen e botës demokratike, Masakra e Reçakut ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës”, ka thënë ajo.

Presidentja Osmani ka theksuar se regjimi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, pos që mohon masakrën, “po i arreston e torturon ata që vendosin lule mbi varret e fëmijëve të luftës”./EO

Komento: