
Mungesa të akuzuarve Albion Sokoli dhe Ekrem Zuçaku u bë shkak që të dështoi seanca e së martës, ku të njëjtit së bashku me shtatë të akuzuar të tjerë, po ngarkohen se përmes mashtrimit me “Call Center”, kishin arritur që të përfitojnë dobi pasurore prej 128 mijë e 328 euro.
Bashkë me Sokolin dhe Zuçakun, në këtë rast po akuzohen edhe Fatmir Gërguri, Admir Kodra, Korab Bajraj, Qëndrim Kelmendi, Hakif Krasniqi, Haxhere Berisha, Leotrim Bukoshi dhe Lumbardh Bukoshi. Ndaj Bajrës, është veçuar procedura penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mungesën e të akuzuarit Sokoli e ka arsyetuar mbrojtësi i tij, avokati Visar Gorani i cili e njoftoi gjykatën se i njëjti nuk ka mundur të paraqitet në gjykatë për arsye shëndetësore.
E për këtë, ai tha se e ka dorëzuar në gjykatë edhe raportin mjekësor.
Ndërsa, për mungesën e të akuzuarit Zuçaku, mbrojtësi i tij, avokati Valdet Kadriu deklaroi se i njëjti pas pak do të vijë në gjykatore.
Mirëpo, në këto rrethana meqenëse nuk pati kushte ligjore për mbajtjen e kësaj seance, gjykatësi i rastit mori vendim me të cilin seanca e sotme u shty.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 15 gusht 2022 ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve: Admir Kodra, Fatmir Gërguri, Korab Bajraj, Hakif Krasniqi, Ekrem Zuçaku, Albion Sokoli, Qëndrim Kelmendi, Haxhere Berisha, Leotrim Bukoshi dhe Lumbardh Bukoshi. Ata ngarkohen se kanë vepruar si qendër e thirrjeve, e paregjistruar, përmes së cilës kanë mashtruar të dëmtuarit, duke përfituar dobi pasurore në vlerë prej së paku 128 mijë e 328 euro.