
Komuna e Mitrovicës Veriore do të merr sot vendim se kur do t’i dorëzojë në KQZ nënshkrimet e peticionit për shkarkimin e kryetari të kësaj komune.
Këtë e ka bërë të ditur për Front Online, kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore, Nexhat Ugljanin.
Ai, ka thënë se pasi që afati është sot dhe nesër, për këtë çështje do të mblidhen sot dhe do të vendosin.
“Sot edhe nesër kemi afat me dorëzu peticionin me nënshkrime. Tash kam mbledhje dhe do të vendosim me delegatët a do ta dorëzojë sot apo nesër”, ka thënë ai për Front Online.
Ndërsa, po ashtu ka bërë të ditur se sa persona e kanë nënshkruar peticionin.
“Peticionin për shkarkimin e kryetarit të Mitrovicës Veriore e kanë nënshkruar 4148 persona”, ka treguar ai.
Ugljanin, ka treguar edhe procedurat pas dorëzimit të nënshkrimeve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
“Pas dorëzimit të nënshkrimeve Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të shkon me procedurë verifikimi. Pastaj presidentja duhet të shpallë zgjedhjet e parakohshme e që duhet 50 për qind plus një votë”, ka shtuar tutje Ugljanin.
I pyetur se në bazë të procedurave kur mund të mbahen zgjedhjet në veriun e vendit, Ugljanin ka deklaruar se kjo çështje merr kohë dhe mund të shkojë deri në muajin e gjashtë apo shtatë.
“Kjo çështje do të merr kohë dhe unë besoj që do të shkojë deri në muajin e gjashtë ose shtatë, por prapë nuk mundet askush ta analizojë por procesi në vazhdimësi do të jetë më i gjatë”, thotë ai për Front Online.
Nëse KQZ-ja konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë të përshtatshme dhe i verifikon ato, organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet të mbahet brenda 45 ditëve. Që ky votim të jetë i suksesshëm, kërkohet 50 për qind plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.
Pas kësaj, rezultati i dërgohet Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka një afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur zgjedhje të parakohshme.
Kryetarët shqiptarë u zgjodhën në prill të vitit 2023, në zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët, në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovës.
Nisja e detyrës së tyre nxiti tensione në fund të majit të vitit të kaluar, të cilat kulmuan në Zveçan, pasi protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) në Kosovë – KFOR.
Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar uljen e tensioneve dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës.
Peticioni është nënshkruar edhe nga përfaqësuesit e Listës Serbe, parti që bojkotoi zgjedhjet dhe largoi përfaqësuesit e saj nga institucionet e Kosovës, duke nxitur edhe largimin e serbëve të tjerë./Front Online