
Në sheshin e Mitrovicës sot është zhvilluar një protestë e thirrur nga Lista Serbë për pakënaqësitë e vendimit të BQK-së për ndalimin e dinarit.
Protesta e mbajtur me pensionistë, përfaqësueses të sindikatave, punëtorëve shëndetësorë e studentë ka përfunduar pa incidente.
Në parullat që i mbanin protestuesit, thuhej se “Evropa hapi sytë, pensionin tërë jetën e kam marrë e merituar, nuk ia jap Kurtit”.
Lidhur me këtë ngjarje në veri, ka folur për Front Online ish-kryeinspektori i AKI-së, Shkelzen Sopjani.
Sopjani e ka vlerësuar protestën si të civilizuar ndryshe nga të tjerat.
Ai thotë se rreziku për eskalim është i vogël por nuk përjashtohet ndonjë incident i izoluar.
“Protestën e pash thjesht si një shprehje të pakënaqësive dhe shumë më e civilizuar sesa protestat që i kemi pa më parë, andaj edhe rreziku për eskalim është i vogël përkundër që nuk përjashtohet ndonjë incident sporadik dhe i izoluar”, ka thënë Sopjani.
Veriun mund ta trazoj edhe plani tranzitor i prezantuar nga BQK-ja, thotë Sopjani.
“Po shihet që sot u prezantua edhe një plan tranzitor për zbatimin e vendimit të BQK, andaj edhe kjo kontribuon në de-eskalim”, tregon Sopjani.
Sopjani situatën në veri e vlerëson të qetë.
Ai thotë se në atë pjesë të Kosovës aktualisht ka rend dhe ligj më shumë se çdo herë.
“Situata në veri është më e mirë se sa që ka qenë një vit më parë, gjithsesi dhe më pak probabilitet për një eskalim, përkundër faktit se mbetet tension. Sot kemi shtrirje më të madhe të rendit dhe ligjit dhe po ashtu edhe forcave të sigurisë si dhe KFOR”, përfundoi Sopjani për Front Online.
Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar të hënën se faza e tranzicionit të zbatimit të rregullores së saj, e cila e ndalon përdorimin e dinarit serb, nuk mund të zgjasë më shumë se tre muaj.
Në një njoftim për media të hënën, BQK-ja njoftoi se ka hartuar një plan të ri për zbatim të lehtësuar të efekteve të rregullores për operacione me para të gatshme në komunitete të caktuara.