
Vajza e Rexhep Males, Fitore Malaj në një rrëfim për Front Online, ka folur për rëndësinë e datës 17 Shkurt kur u shpallë Pavarësia e Kosovës dhe mënyrën se si festohet kjo ditë në familjen e saj.
“Dita e madhe e Pavarësisë ashtu si për të gjithë është ditë feste edhe për familjen tonë. Është reflektim nga e kaluara, suksese dhe arritje deri sot, zhvillim dhe prosperitet drejt një të ardhme më të mirë. 17 Shkurti shënon triumfin e popullit tonë ndaj shtypjes, persekutimit dhe gjenocidit shekullor të një sundimi të egër të regjimit serbo –jugosllav”
“Shpallja e Pavarësisë në familjen tonë u prit me emocione të përziera, gëzim, dhimbje për më të dashurit tanë që nuk e arritën këtë ditë, por gjithsesi krenari që mundi dhe sakrifica po shpërblehet dhe po realizohet ëndrra e kamotshme e paraardhësve tanë dhe gjithë shqiptarëve kudo që ishin”, ka thënë Malaj për Front Online.
Gjithashtu, Malaj ka thënë se edhe përvjetorët e rënies heroike të Rexhep Males, janë bërë traditë e familjes, teksa thotë se për çdo vit, në nderim të jetës së babait të saj, në shtëpinë e tyre mblidhen familjarë, miq e krerë institucional.
“Përvjetorët tona tashmë janë shndërruar në një traditë të familjes ku organizohet pritje për të gjithë miqtë, shokët e familjarët por gjithsesi nuk mungojnë as përfaqësuesit e institucioneve shtetërore e lokale si dhe përfaqësues tjerë të partive politike. Emocion i veçantë është kur në ditën e rënies së tij, sheh aq shumë njerëz bashkë të cilët pa asnjë dallim bashkohen në nderim të sakrificës për liri”.