Gjykimi ndaj “Thaçit dhe të tjerëve”, deklarata të ndryshme mes dëshmisë së dëshmitarit të 46-të me asaj të nënës së tij

15:03 | 20 Shkurt 2024
gjykimi-ndaj-“thacit-dhe-te-tjereve”,-deklarata-te-ndryshme-mes-deshmise-se-deshmitarit-te-46-te-me-asaj-te-nenes-se-tij

Gjatë ballafaqimit të deklaratave të dëshmitarit të 46-të të dhëna në vitin 2013 me dëshminë e nënës së tij para Tribunalit Penal Ndërkombëtar, janë evidentuar deklarata të ndryshme mes dy dëshmive.

Mbrojtësi i Jakup Krasniqit, avokati Aidan Ellis teksa e ballafaqoi dëshmitarin me dy deklaratat e lartpërmendura, e pyeti se a e pranon që nuk ka qenë dëshmitar i asaj që i ka ndodhur familjes se tij, e këtë gjë e pranoi.

“Dëshmitar, më parë e pranove që nuk ke qenë dëshmitar i asaj që i ka ndodhur familjes tuaj, por informatat i ke treguar nga ajo që ju ka treguar nëna juaj”, pyeti avokati Ellis.

“Saktë, kështu është”, deklaroi dëshmitari.

Nëna e dëshmitarit në deklaratat e dhëna lidhur me mbajtjen në ish-stacionin e policisë së Malishevës dhe marrjen në pyetje, nuk e kishte përmendur Jakup Krasniqin.

Në anën tjetër, dëshmitari insiston se ai që e ka marrë në pyetje nënën e tij ishte Jakup Krasniqi.

Me tej, avokati Ellis i tha dëshmitarit që dallojnë deklaratat e tij të dhëna në vitin 2013, me deklaratat e dhëna nga nëna e tij për Tribunalin Penal Ndërkombëtar.

“T’i kthehemi deklaratës që nëna juaj ka dhënë për Tribunalin Penal Ndërkombëtar, është: ‘në mëngjes ne të treve na quan te një burrë që e kishte zyrën në katin e parë i veshur me tesha civile. Ai donte të na pyeste vetëm për të dhënat personale, pas pak ditësh një person i veshur me uniforma të zeza na tregoi emrin, ai tha që ishte Jakup Hoti’, është e qartë dëshmitar se nëna juaj identifikon personin në zyrë që ua mori emrin dhe mbiemrin që ishte Jakup Hoti. Kështu është?”, e pyeti dëshmitarin avokati Ellis.

Megjithatë, sipas dëshmitarit ai person që e pyeti nënën e tij për të dhënat personale nuk ishte Jakup Hoti por Jakup Krasniqi, edhe pse deklaratat sipas tij bazohen në atë çka i ka treguar nëna e tij.

“Jakup Hoti kishte të veshur një uniform të zezë, i cili e hapi dhe e mbylli derën e dhomës ku mbaheshin, pastaj këto të dhëna i mbajti shënim Jakup Krasniqi”, u përgjigj dëshmitari.

Pas kësaj, avokati Ellis edhe një herë ia rikujtoi dëshmitarit se deklaratat e tij dallojnë me ato të thëna nga nëna e tij.

“Nuk ka thënë kështu nëna juaj dhe unë po ju them edhe një herë që deklarata që ka dhënë nëna juaj ndryshon nga ajo që ju keni dhënë në vitin 2013”, tha Ellis.

Ndryshe, në bazë të asaj që ka thënë nëna e dëshmitarit, në korrik 1998, babai, vëllai, nëna, kunata dhe nipi i sapolindur i dëshmitarit, janë ndaluar nga pjesëtarë të UÇK-së në rrethinën e Rahovecit.

Babai dhe vëllai i dëshmitarit thuhet se u dërguan në makinë drejt Malishevës, ndërsa nëna, kunata dhe nipi i sapolindur u mbajtën në ish-stacionin e policisë së Malishevës rreth tetë ditë. /BetimipërDrejtësi

Komento: