
Do të ketë konferencë ndërkombëtare e cila do t’i japë fund mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë, me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin Aleksandar Vuçiq që do të detyrohen të negociojnë intensivisht për disa ditë me radhë. Ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq është i sigurt se do të ndodhë ajo që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama propozoi në qershor të vitit të kaluar.
Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq beson se është e pashmangshme mbajtja e një konference ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë.
Idenë që të arrihet një marrëveshje përfundimtare “diku në një vend të izoluar” ku do të negociohej me prezencën e diplomatëve të fuqive të mëdha për “3-4-5 ditë”, Rashiq tha se e ka promovuar edhe vetë dhe se një gjë e tillë “mund të arrihet”.
Ministri mbrëmë foli për zhgënjjimin në rritje dhe durimin e vogël që tha se e ka vënë re te diplomatët me Kosovën dhe Serbinë, lidhur me zbatimet e pjesshme të marrëveshjeve e me akuzat e ndërsjella.
“Unë konsideroj që një gjë e tillë do të ndodhë. Sepse nëse vazhdojmë kështu me diplomaci, kjo mund të zgjatet shumë dhe pasi që e kemi përmend edhe deklaratën dhe letrën e Macronit, ne e dimë të gjithë që ata diplomatë e humbin durimin me Kosovën dhe Serbinë tërë kohën duke negociuar, me zbatime të pjesshme ose me akuza ndaj njëri-tjetrit, kështu që fatkeqësisht është reale që mund të ketë një konferencë të tillë e cila mund të përmbyllej me një marrëveshje”, tha Rashiq në Tëvë1.
Ai tha se ka pasur disa herë “dreka ose darka zyrtare me shumë diplomatë”, dhe se i ka dëgjuar ata të kenë shqetësime për moszbatimin e marrëveshjeve.
“Te ne nuk ka marrëveshje finale… Edhe pas nënshkrimit, prapë e ke procesin për zbatimin. Dhe ne, me tempon që e kemi tash, nëse edhe nënshkruhet diçka, kjo nuk ka implementim edhe 20 vjet”, tha Rashiq./FrontOnline/