
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, seanca e së enjtes ndaj të akuzuarit për krime lufte u shty për shkak të mungesës së mbrojtësit të të pandehurit Çaslav Joliq, avokatit Miodrag Brkljaq.
Mungesa e avokatit Brkljaq, sipas kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Musa Konxheli erdhi pasi që i njëjti ndodhet në pushim mjekësor, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas gjykatësit Konxheli, avokati Brkljaq, sot i ka dërguar dy shkresa gjykatës, përmbajtja e të cilave kishte të bënte me gjendjen e tij shëndetësore.
Po ashtu, gjykatësi Konxheli njoftoi se seanca e paraparë të mbahet nesër më 23 shkurt 2024, duhet të shtyhet për arsye të njëjta.
“Ka një raport të doktorit specialist që ka kry kontrollë më datë 19.02.2024 në Kragujevc dhe sipas kësaj deri me 26.02.2024 është në pushim mjekësor. E-mailin sot e kemi hap në mëngjes dhe kam mendu se ato shkresa kanë qenë arsyetim për shtyrjet e seancave të kaluara por ai paska nënkuptu për sot. Prandaj ne smundemi me e mbajtë seancën e sotme as të nesermen”, tha gjykatësi Konxheli.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 18 nëntor 2022, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Çaslav Joliq me arsyetimin se gjatë kohës së luftës në Kosovës në bashkëkryerje me persona të tjerë, duke i shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, ka aplikuar masat e torturimit dhe shkaktimit të vuajtjeve të mëdha apo cenimit të integritetit trupor ose shëndetit kundër popullsisë civile që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt për shkaqe që lidhen me luftën.