Serbët e Kosovës shkojnë në Bujanoc për t’i tërhequr pagat dhe pensionet

13:03 | 23 Shkurt 2024
serbet-e-kosoves-shkojne-ne-bujanoc-per-t’i-terhequr-pagat-dhe-pensionet

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se sjellja e zëvendëskryeministrit të Kosovës Besnik Bislimi ndaj zyrtarëve të BE-së është e papranueshme. Reagimi pasoi refuzimin e Bislimit për të marrë pjesë në një takim për të diskutuar për heqjen e dinarit në Kosovë. Përderisa zyrtarët debatojnë në distancë, serbët nga rajoni i Anamoravës në Kosovë vijnë në Bujanoc për ndihmë sociale me dinarë, para Postës së Kursimeve me ditë të tëra ka turma të papërshkrueshme kur në disa raste duhet të ndërhyjë policia shkruan bujanovacke.co.rs, transmeton FrontOnline.

Deri në njëqind serbë vijnë në Bujanoc për të tërhequr pensionet dhe përfitimet sociale, kryesisht nga rajoni i Anamoravës në Kosovë. Dhe të gjitha ato shërbehen vetëm nga tre sportele, kështu që turmat janë të pashmangshme.

“Shpresojmë që zoti Bislimi të vlerësojë përpjekjet, në vend që të akuzojë padrejtësisht zyrtarët e BE-së. Një sjellje e tillë është e papranueshme”, tha Stano të enjten.

Ai ka konfirmuar se BE-ja ka ftuar Kosovën dhe Serbinë që të diskutojnë çështjen e dinarit në takimin e 27 shkurtit.

“Zakonisht ne nuk komentojmë shkëmbimet me partnerët tanë. Mirëpo, në letrën e ftesës së të dërguarit të posaçëm Lajçak, nuk specifikohet se kush duhet ta përfaqësojë Kosovën dhe kush të përfaqësojë Serbinë, kjo u mbetet palëve të vendosin”, tha Stano.

Ai ka shpjeguar se ftesa është dërguar pas takimeve që Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell ka pasur me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti javën e kaluar në Mynih, ku sipas tij është diskutuar për çështjen e dinarit.

Bislimi tha të mërkurën se refuzoi ftesën e Brukselit për të diskutuar çështjen e ndalimit të dinarit serb në Kosovë dhe akuzoi të dërguarin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, për shkelje të parimeve.

Sipas fjalëve të tij, Lajçak ka shkelur “parimet që i ka vënë vetes” duke bërë këtë thirrje, pasi, sipas tij, “për herë të parë ka caktuar një takim pa marrëveshje paraprake me palët dhe ka tentuar të përcaktojë agjendën pavarësisht parimeve se asnjë temë nuk vihet në rend dite pa marrëveshjen e palëve”.

Për shkak të anulimit të dinarit, në degët e Postës dhe Poštanska Štedionica në Veri të Kosovës, qytetarët në sportele paguhen maksimumi 10 mijë dinarë ose po aq në euro, shkruan bujanovacke.co.rs, transmeton FrontOnline.

Përpara postës dhe bankës Poštanska štedionica në Mitrovicë, njerëzit presin në radhë pagesën e ndihmës sociale dhe ndihmës për fëmijë.

Kossev raporton se paratë mund të tërhiqen vetëm në sportele, pasi që tre ditë nuk ka para në bankomat.

Në zonat serbe në jug të Ibrit, me ditë nuk ka dinarë, gjë që i detyron qytetarët të shkojnë për para në Kurshumli, Vranjë apo Bujanoc.

Në degën e Poštanska štedionica në Bujanoc prej disa ditësh ka turma të mëdha, ndërsa në radhë për pagesë ka edhe serb nga Kosova./FrontOnline/

Komento: