Ish-gjyqtari i Kushtetueses: Rezoluta 1244 dhe Arbitrazhi dy çështje kontestuese në draft-statutin e Asociacionit

09:03 | 03 Mars 2024
ish-gjyqtari-i-kushtetueses:-rezoluta-1244-dhe-arbitrazhi-dy-ceshtje-kontestuese-ne-draft-statutin-e-asociacionit

Krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë theksuar se draft-statuti i Asociacionit duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese.

Një kërkesë të tillë e ka pasur edhe Bashkimi Evropian.

Ndërsa, hiq më larg se të enjten ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier e ka këshilluar Qeverinë e Kosovës që të kërkojë sa më shpejt mendimin e Gjykatës Kushtetuese për një draft-statut të hartuar prej Perëndimit për themelim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Por, pavarësisht kësaj Qeveria e Kosovës nuk po e bën një gjë të tillë.

Ani pse të njëjtit janë pajtuar për dërgimin e dokumentit në Kushtetuese.

Ata po ashtu ende nuk kanë treguar se kur do ta ndërmarrin një veprim të tillë.

Front Online, për këtë çështje ka pyetur edhe zëdhënësin e Qeverisë Përparim Kryeziu, por i njëjti ka thënë se është jashtë vendit.

“Nuk jam në Kosovë për momentin. Më vjen keq”, ka thënë shkurt Kryeziu.

 

 Ish-gjyqtari i Kushtetueses: Kurti e ka detyrë nacionale dhe ndërkombëtare ta dërgoj draftin e Asociacionit në Kushtetuese

Për mosdërgimin ende në Kushtetuese të draft-statutit të Asociacionit nga ana e Qeverisë, për Front Online ka folur edhe ish-gjyqtari i Kushtetueses, Kadri Kryeziu.

Ai thotë se kryeministri e ka edhe detyrë nacionale por edhe ndërkombëtare që draft-statutin e Asociacionit ta dërgojë në Kushtetuese.

“Kryeministri e ka këtë detyrë, e ka edhe detyrë nacionale edhe ndërkombëtare në fakt është ligj i detyrueshëm ndërkombëtarisht, por ai po pret, pra i ka politikat e veta. Thënë ndryshe jo ky kryeministër, ose ndonjë kryeministër tjetër e ka detyrim ndërkombëtar që patjetër duhet ta nënshkruajë dhe ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese”, është shprehur Kryeziu, për Front Online.

I, pyetur se çfarë epilogu pret nga Kushtetuesja, Kryeziu ka deklaruar se në këtë draft-statut të ri janë dy çështje që janë kontestuese e që më parë nuk kanë qenë.

Sipas tij është Rezoluta 1244 dhe Arbitrazhi.

“Kushtetuta ka kompetenca që ta rishikojë a ka ndonjë dispozitë në kundërshtim me Kushtetutën, nëse jo atëherë kalon, nëse po atëherë qeto dispozita i eliminon dhe kalon ashtu pa dispozita. Aty janë kontestuese dy çështje të cilat nuk kanë qenë përpara është Rezulota 1244 edhe Arbitrazhi, kështu që Gjykata do ta shikojë në mënyrë profesionale edhe i eliminon nëse konsideron se janë në kundërshtim me Kushtetutën”, ka thënë ndër të tjera Kryeziu.

 

Drafti i Asociacionit s’është dërguar ende në Kushtetuese/ Ymeri: Kurti po dëshiron t’i qëndrojë besnik premtimit të tij

Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale ‘Musine Kokalari’, Visar Ymeri ka deklaruar për Front Online se Kryeministri Kurti nuk po e dërgon draft-statutin e Asociacionit në Kushtetuese për shkak që po do t’i qëndroj besnik premtimit të tij që nuk ka marrëveshje pa nënshkrim.

“Kryeministri Kurti po do t’i qëndroj besnik premtimit të tij të fundit publik që nuk ka marrëveshje pa nënshkrim, që nënkupton se nuk mund të ketë zbatim të marrëveshjes pa nënshkrim. Edhe pse ky qëndrim nuk është se përkrahët nga cilido prej akterëve të përfshirë në procesin e dialogut meqë si BE ashtu edhe ShBA e konsiderojnë marrëveshjen ligjërisht të obligueshme për të dyja palët”, është shprehur Ymeri për Front Online.

Sipas Ymerit, themelimi i Asociacionit tash është domosdoshmëri.

“Themelimi i Asociacionit tash është domosdoshmëri dhe nuk do të ketë asnjë hap përpara për Kosovën as në rrugëtimin drejt BE-së e as në organizata ndërkombëtare pa e nisur një proces të besueshëm për themelimin e tij. Kur Kurti ishte pajtuar për draft statutin pas takimit me treshen evropiane (Meloni, Scholz, Macron) në tetor ky ishte lexuar si një hap cilësor drejt zbatimit. Por pastaj erdhi vendimi i BQK-së për valutat dhe e solli Kosovën prapë në situatën ku ishte para Banjskës, e vlerësuar si zvarritëse e procesit dhe e shkujdesur karshi situatës së sigurisë”, ka thënë ndër të tjera Ymeri.

Ymeri, ka thënë se për epilogun final të draft-statutit duhet të flasin ekspertët juridik, duke shtuar se mendon dhe beson që Kushtetuesja do ta trajtojë dokumentin me shumë kujdes.

“Tutje nga kjo mendoj që kushtetuesja do ta trajtoj dokumentin me shumë kujdes dhe t’i vë në pah tejkalimet eventuale nga rregullimi kushtetues i Kosovës e veçanërisht nëse Asociacioni i paraparë në këtë dokument e prek balancin kushtetues të përgjegjësisë së pushteteve, dhe barazisë e harmonisë mes qytetarëve e komuniteteve”, ka thënë ai për Front Online.

 

Cilat pika të draftit të Asociacionit mund t’i kontestojë Kushtetuesja? Flet Visar Ymeri

Drejtori Ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale ‘Musine Kokalari’, Visar Ymeri, kur është pyetur se cilat mund të jenë pikat e draft-statutit të Asociacionit e që mund të kontestohen nga Kushtetuesja ka thënë se janë disa çështje që janë vën në spikamë.

“Janë disa çështje që janë vendos në spikamë deri tash, e që prekin pika Komisioni i Arbitrazhit, organizimi i sistemit privat arsimor dhe shëndetësor për komunitetin serb dhe roli i Serbisë në këtë pikë. Një gjë që mendoj që duhet të vlerësohet me kujdes po ashtu është transferimi eventual i kompetencave komunale në organet e Asociacionit. Ky transferim do ta prek rendin kushtetues aktual sepse do të krijonte një pushtet të tretë. Dhe si i tillë ai duhet trajtuar me kujdes. Po ashtu nëse kjo vlerësohet nga GjK të jetë kështu atëherë këtë të drejtë delegimi nuk ka të drejtë ta jap Qeveria përmes dekretit, por është një gjë që duhet miratuar në Kuvend”, ka treguar ai.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka thënë se draft-statuti i hartuar prej Perëndimit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, krijon autonomi politiko-territoriale me kompetenca të theksuara shtetërore.

Hasani për REL-in, ka thënë se nuk do të thotë që dokumenti bëhet kushtetues vetëm pse mund të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

Ai e përmend se draftet për Asociacionin do të duhej të ishin në përputhje me aktgjykimin e vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese, mirëpo drafti aktual nuk e ka marrë atë fare për bazë, duke e përjashtuar nga preambula./Front Online/

 

Komento: