
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia në dy vitet e para të qeverisjes së tij, solli katër herë ushtrinë tek kufiri i vendit, kanë sponsorizuar terrorizëm dhe kanë shpërndarë vazhdimisht gënjeshtra dhe narrativa të rrejshme.
“Putini veçse i ka trimëruar, regjimi autokratik në Serbi është nxitur prej pushtimit të Ukrainës nga ana e Rusisë”, u shpreh Kurti.
Gjatë fjalës së tij në konferencën e organizuar nga Fondacioni Friedrich Ebert (FES) dhe Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë i Kuvendit të Kosovës, “Urëzimi i Ballkanit Perëndimor: Diplomacia Parlamentare për Sigurinë Rajonale dhe Integrimin Euro-Atlantik”, shefi i qeverisë poashtu tha se Ballkani Perëndimor është i kërcënuar nga Serbia dhe se rruga drejt integrimit euroatlantik nuk bëhet vetëm.
“Perspektiva euroatlantike duhet të përforcohet. Duke u rreshtuar bashkë me parimet dhe vlerat e Bashkimit Evropian dhe NATO-s ata që dëshirojnë në të vërtetë mund të shfrytëzojnë një mori mundësish për zhvillimin ekonomik, bashkëpunimin në siguri dhe qeverisjen diplomatike. Rrugëtimi drejt integrimit euroatlantik nuk është një rrugëtim që mund të niset vetëm, kërkon mbështetjen e Bashkësisë Ndërkombëtare dhe përkushtim të mirëfilltë përbrenda. Përparimi demokratik nuk duhet të merret si i mirëqenë. Serbia kërkon që të pengojë përparimin e tërë rajonit”, tha Kurti.
Tutje, kryeministri i vendit tha se BE-ja dhe NATO-ja i janë përgjigjur me të drejtë agresionit të Rusisë. “Kërcënimi ndaj sigurisë së Ballkanit Perëndimor nga Serbia duhet të adresohet me të njëjtën qasje duke i dhënë Kosovës anëtarësimin në BE”, shtoi ai.
Në fund, Kurti tha se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE nuk është futur ende në agjendën e Këshillit Evropian.
“Aplikimi ynë për anëtarësim në BE nuk është futur ende në agjendën e Këshillit Evropian për të autorizuar komisionin që të më dërgoj pyetësorin. Çdo shtet demokratik në BE dhe në Këshillin e Evropës besojnë se Kosova është demokracia më e përparuar në rajon, dhe se kushtetuta jonë është më e përparuara në Evropë”, u shpreh ai.