
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, ka nisur vizitën zyrtare në Tajlandë, ku është pritur nga homologu i tij, Sihasak Phuangketkeow.
Bëhet e ditur se në takim u fol për marrëdhëniet mes dy vendeve, koordinimin multilateral dhe zhvillimet aktuale në të dyja vendet dhe rajonet përkatëse.
“Në kuadër të bashkëpunimit bilateral u diskutua për përfundimin e një sërë marrëveshjesh, me theks në sektorët e kulturës dhe ekonomisë”.
“Në rrafshin e koordinimit multilateral, u diskutua me palën tajlandeze për planet e Republikës së Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare si domosdoshmëri për ushtrim të të drejtave të qytetarëve të Kosovës dhe u kërkua përkrahja Tajlandës”, thuhet në njoftim.
Tutje, Ahmeti e falënderoi zëvendësministrin tajlandez për mbështetjen e Tajlandës për Kosovën.