Pas gjetjes së pesë zollave në Banjskë, KFOR-i njofton se po kërkon për tjetër armatim

17:03 | 07 Mars 2024
pas-gjetjes-se-pese-zollave-ne-banjske,-kfor-i-njofton-se-po-kerkon-per-tjeter-armatim


Ekipi për asgjësimin e mjeteve shpërthyese i KFOR-it ekzaminoi pesë granata raketore të zbuluara nga Policia e Kosovës gjatë ditës së mërkurë në një depo në komunën e Leposaviqit në afërsi të Manastirit të Banjskës

Sipas njoftimit të KFOR-it këto mjete shpërthyese u dërguan në laboratorët e mjekësisë ligjore.

“Ekipi i KFOR-it ka punuar në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës”, thuhet në njoftim.

“Batalioni i Manovrimit i KFOR-it po siguron më tej zonën për të parë nëse mund të gjenden depo të tjera të mundshme pranë këtij objekti”, vijon tutje njoftimi.

KFOR-i ka kujtuar se vepron në Kosovë sipas detyrave për të ofruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), me të cilët punojmë në koordinim të ngushtë.

Ndryshe, gjatë së mërkurës Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë detyrave rutinore ka hasur në pesë “zolla” në afërsi të Manastirit të Banjskës.

Sipas raportit të policisë mjetet dyshohet si i përkasin ngjarjeve të shtatorit të vitit të kaluar ku grupi terrorist i drejtuar nga Milan Radoiçiq ka sulmuar një patrullë të Policisë së Kosovës ku humbi jetën polici Afrim Bunjaku.

Më pas në luftime e sipër Policia e Kosovës kishte neutralizuar tre terroristë.

Pas këtyre ngjarjeve kiste pasur reagime të shumta nga bashkësia ndërkombëtare duke dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës./Telegrafi/

Komento: