
I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi Miroslav Lajçak, të martën ka qëndruar në Kosovë.
Lajçak është takuar me zv/ kryeministrin njëherit kryenegociator i Kosovës në dialog me Serbinë, Besnik Bislimi.
Pas takimit Lajçak ka paralajmëruar takime të reja ndërmjet kryenegociatorëve të të dyja palëve, për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve por edhe të përdorimit të dinarit serb, shkruan Front Online.
Ani, pse nga Kosova çështjen e dinarit nuk po dëshirojnë ta bëjnë pjesë të dialogut.
Ndryshe po kërkojnë ndërkombëtarët.
Ata po thonë se dinari duhet të pjesë e dialogut dhe se Kosova duhet t’u përgjigjet pozitivisht ftesave nga Brukseli.
E, pavarësisht paralajmërimeve për takime të reja, një i tillë nuk dihet se kur do të ndodhë.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano ka deklaruar për Front Online se takimet caktohen sipas rastit.
“Si gjithmonë, ne caktojmë çdo takim lidhur me dialogun sipas rastit”, ka thënë Stano për Front Online.
Ndërsa, i pyetur se në takimin e ardhshëm kurdo që ai mbahet a do të jetë temë dinari dhe Asociacioni, Stano nuk ka dhënë përgjigje.
Pavarësisht kërkesës së ndërkombëtarëve që vendimi për dinarin të shtyhet, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se ky është vendim i pavarur i Bankës Qendrore të Kosovës dhe nuk mund të zhbëhet.
Gjatë një interviste për Bloomberg, në shkurt Kurti përsëriti se me rregulloren e BQK-së për operacione me para të gatshme nuk ndalohet mbajtja e dinarëve serbë, pasi kjo valutë mund të përdoret për pagesa vetëm pasi të konvertohet në euro në një nga bankat e licencuara në Kosovë.
“Nuk mund ta zhbëjmë këtë vendim. Pra, ata kërkuan për më shumë kohë dhe ne po u japim më shumë kohë. Tani, edhe partnerët tanë amerikanë dhe evropianë po thonë se rregullorja është ligjore sepse po lufton financimin e terrorizmit, aktivitetet e paligjshme, por ne nuk duhet të ngutemi shumë në zbatimin e plotë. Dhe kështu do të veprojmë gjatë shkurtit”, tha Kurti.
Por, se a presin nga BE-ja që Kosova ta shtyjë vendimin për dinarin në bazë të diskutimeve që kanë ndodhur deri më tani, nga ky institucion kanë thënë se për këtë duhet të përgjigjen autoritetet e Kosovës.
“Kjo është një pyetje për autoritetet e Kosovës, ne nuk flasim në emër të tyre”, ka deklaruar Stano për Front Online.
Krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti kanë theksuar se draft-statuti i Asociacionit duhet t’i nënshtrohet shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese.
Një kërkesë të tillë e ka pasur edhe Bashkimi Evropian.
Ndërsa, hiq më larg se të enjten e javës së kaluar ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier e ka këshilluar Qeverinë e Kosovës që të kërkojë sa më shpejt mendimin e Gjykatës Kushtetuese për një draft-statut të hartuar prej Perëndimit për themelim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Por, pavarësisht kësaj Qeveria e Kosovës nuk po e bën një gjë të tillë.
Ani pse të njëjtit janë pajtuar për dërgimin e dokumentit në Kushtetuese.
Ata po ashtu ende nuk kanë treguar se kur do ta ndërmarrin një veprim të tillë.
Front Online për këtë ka pyetur edhe Bashkimin Evropian se a kanë kërkuar që draft-statuti i Asociacionit të dërgohet në Kushtuese, por të njëjtit kanë deklaruar se nuk i bëjnë publike shkëmbimet me homologët e tyre.
“Ndryshe nga disa partnerë të tjerë, ne nuk i zbulojmë publikisht shkëmbimet që kemi me homologët tanë”, është përgjigjur Stano për Front Online
Nga njohës të Kushtetutës në vend, po thonë se në draft-statutin e Asociacionit janë dy çështje që mund të kontestohen e që është Rezoluta 1244 dhe Arbitrazhi./Front Online