Qeveria e Kosovës del me njoftim pas takimit të Kurtit me Escobar, nuk japin detaje për kërkesat e tij

10:33 | 15 Mars 2024
qeveria-e-kosoves-del-me-njoftim-pas-takimit-te-kurtit-me-escobar,-nuk-japin-detaje-per-kerkesat-e-tij

Qeveria e Kosovës ka njoftuar për takimin e kryeministrit Albin Kurti me zevëndës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, shkruan FrontOnline.net

Përmes një njoftimi Qeveria ka treguar se çfarë i ka thënë kryeministrit Kurti, emisarit Escobar por nuk ka dhënë ndonjë detaj ose informacion nëse emisari Escobar ka pasur ndonjë kërkesë për Qeverinë dhe Kryeministrin Kurti.

Njoftimi i Qeverisë:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti sot zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffery Hovenier.

Duke kujtuar takimin e fundit që kishin së bashku nga tetori i vitit të kaluar, kryeministri e falënderoi z. Escobar për vizitën dhe foli për zhvillimet që kanë shënuar këta pesë muaj.

Kryeministri tha se sulmi ndaj nënkryetares së Zveçanit, Natasha Tomaniq, duhet dënuar.

Sulmi është vazhdimësi e kërcënimeve të Serbisë ndaj sigurisë së Kosovës pas sulmit terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit në Banjskë ku mbet i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërkohë që kryesit e këtij sulmi ende janë të lirë dhe të mbrojtur në Serbi.

Në lidhje me rregulloren e Bankës Qendrore, Kryeministri pati diskutim përmbajtjësor të fokusuar në adresimin e shqetësimeve të përbashkëta. Ai tha se vendimi i Bankës Qendrore është vendim i një institucioni të pavarur dhe profesional. Për shkak të ndikimit të rregullores në komunitetin serb të Kosovës, qeveria ka bërë veprime për të siguruar që tranzicioni të jetë i shpejtë dhe i lehtë për qytetarët e Kosovës nga komuniteti serb.

Në këtë drejtim kryeministri theksoi edhe propozimet që janë prezantuar për periudhën tranzitore dhe ofroi bashkëpunimin në adresimin e shpejtë të të gjitha shqetësimeve që bien në kompetencat e qeverisë.

Kryeministri e falënderoi z. Escobar për rolin dhe kontributin e tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe tha se sukseset e Kosovës dhe të popullit të saj janë suksese të përbashkëta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në takim, kryeministri ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Komento: