Caka-Nimani: Inicialet e grave të vrara janë dështim i shtetit

11:03 | 15 Mars 2024
caka-nimani:-inicialet-e-grave-te-vrara-jane-deshtim-i-shtetit

Këshilli i Evropës dhe Qendra AIRE, kanë organizuar të premten konferencën me temën “Zbatimi i Konventës së Stambollit përmes praktikës gjyqësore: Dialogu Gjyqësor për një Përgjigje Gjyqësore Efektive”.

Aty u tha qëllim i kësaj konference është ofrimi i një platforme për diskutim ndërmjet Gjykatës Kushtetuese, gjykatave të rregullta dhe sistemit prokurorial për forcimin e dialogut për luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, raporton Ekonomia Online.

Të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve kyçe të sistemit të drejtësisë, përfshirë gjykatat dhe prokuroritë, si dhe përfaqësues të autoriteteve qeveritare, organizatave ndërkombëtare, përfaqësive diplomatike dhe shoqërisë civile.

Konferenca në fokus pati diskutimin rreth përmirësimit të zbatimit të Konventës së Stambollit, përmirësimin e parandalimit dhe ndjekjes penale të dhunës kundër grave dhe dhunës në familje, dhe fuqizimin e bashkëpunimit ndër-institucional në këtë drejtim.

Në hapje të konferencës, Gresa Caka-Nimani, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, duke numëruar vrasjet e grave gjatë viteve në Kosovë, tha se diskutimi i hapur për këtë çështje është mundësi e identifikimit të të arriturave, sfidave dhe zgjidhjeve.

Ajo tha se inicialet e këtyre grave të vrara nuk janë thjeshtë statistika por histori të trishta të grave kosovare dhe reflektojnë dështimin e shtetit.

“Inicialet e grave të vrare nuk janë thjesht statistika, ato reflektojnë histori të trishta të grave kosovare që iu janë nënshtruar dhunës në familje, histori plagësh të familjeve e fëmijëve të cilët shumicën e rasteve kanë qenë dëshmitarët e vrasjes së nënave të tyre, reflektojnë dështimin e shtetit e shoqërisë”, tha Caka-Nimani.

Ajo ka përmendur disa raste të ndryshme të femicidit, teksa edhe ka potencuar që institucioni që drejton ka konstatuar dështim të shkeljes së të drejtës në jetë në raste të ndryshme.

“Që në fillet e themelimit të saj, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar dështimin e përmbushjes së detyrimeve pozitive të shtetit, përkatësisht shkeljen e së drejtës në jetë në rastin e Diana Kastratit. Një dekadë më tej Gjykata sërish konstaton të njëjtën në rastin e Sebahate Morinës”, tha ajo.

Caka-Nimani i ka cilësuar ato si thirrje për bashkërendim e mobilizim.

“Sigurisht që praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese, duhet të ketë rol parësor në zbatimin e Konventës së Stambollit. Kjo praktikë gjyqësore përtej që është e konsoliduar në kontekst të parimeve që ndërlidhen me barazitë gjinore, ajo gjithashtu ka vendosur parimet që ndërlidhen me detyrimet pozitive për mbrojtjen e së drejtës për jetë”, ka deklaruar kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Gresa Caka-Nimani.

Komento: