Nushi: Taktizimet e Kurtit i kanë bërë dëm Kosovës

18:33 | 15 Mars 2024
nushi:-taktizimet-e-kurtit-i-kane-bere-dem-kosoves

Nol Nushi nga Partia Socialdemokrate (PSD) ka thënë se “taktizimet” e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti gjatë gjithë mandatit të tij i kanë bërë “dëm” Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Në emisionin “FIVE”, Nushi ka thënë se është e disata herë që qeveria e Kosovës demantohet nga ndërkombëtarët kështu duke përmendur deklaratën e emisarit amerikan, Gabriel Escobar se kushti për anëtarësim në KiE nuk është vetëm ai i Manastirit të Deçanit siç u theksua nga Kurti, por edhe Asociacioni dhe çështja e disa shpronësimeve në veri të Kosovës.

“Për herë të disatë, qeveria del në gënjeshtër. Edhe kësaj radhe doli duke thënë se Manastiri është kushti i vetëm për anëtarësim në Këshill të Evropës. Pastaj me ato shprehje boshe që thotë se kemi mospajtime të vogla me ShBA, Escobari e tha qartë se ka mungesë komunikimi, ka bllokadë në komunikim. Taktizimet e Kurtit gjatë gjithë mandatit të tij i kanë bërë keq Kosovës në arenën ndërkombëtare, por Kurtin e kanë mbajtur lartë në elektorat”, ka thënë Nushi.

Komento: