
Nën kushte pandemike dhe me maska në fytyrë, deputetë e mazhorancës ishin mbledhur me 22 mars 2021 për të votuar Qeverinë Kurti ll, pas zgjedhjeve që ishin mbajtur me 14 shkurt 2021 e ku Lëvizje Vetëvendosje, kishte dalë si subjekti i parë politikë në vend.
Për opozitën kosovare, tri vitet e qeverisjes së Kurtit po shihen si dështim e dëshpërim, madje edhe mashtrim e prishje të marrëdhënieve me miqtë ndërkombëtarë.
Selmanaj i LDK-së: Tri vjet të Qeverisë “Kurti” dështim dhe dëshpërim për Kosovën
Deputeti nga radhët e LDK-së, Driton Selmanaj e quan dështim total udhëheqjen e Kosovës në këto tri vjet nga Qeveria “Kurti”.
Në një prononcim për Front Online, Selmanaj thotë se këto tri vjet kanë qenë humbje për Kosovën në secilën sferë dhe poashtu kanë qenë edhe vite izolimi.
“Dështim, totalisht dështim. Unë mendoj se këto kanë qenë tri vite humbje për Kosovën në secilën sferë, si në arsim, në shëndetësi, në ekonomi në të gjithat, por ajo më fatkeqe që mendoj se ka ndodh për vendin është izolimi diplomatik që iu është bërë Kosovës nga udhëheqja e Albin Kurtit. Kosova kurrë s’ka qenë më keq me partnerët perëndimorë, po bëhen gati një vit prej kur BE-ja ka vendos sanksione ndaj Kosovës, poashtu izolimi edhe në raport me Shqipërinë e që Kosova nuk ka pasur kurrë raporte kaq të këqija kështu me shtetin amë”, tha ai për Front Online.
Ai thotë se tash po shihet se Kurti po i bën të gjitha ato që dikur i kundërshtonte.
‘’Ne kur e kemi marrë Qeverinë me z. Avdullah Hoti, kemi qenë në izolim total por për fatin e mirë e shpëtuam Kosovën. Atëkohë kemi marrë vendime të rënda, por kemi marr vendime jetike për vendin, e pas pak dite ne kemi marrë ftesën për të shkuar në SHBA, ku kemi pasur marrëveshje dhe njohje që ishte historike për Kosovën dhe duhet ta dijë secili që bëhet kryeministër apo ministër dhe jo vetëm z.Kurti, duhet koordinimi i ngushtë me ata që kanë hisen e madhe në këtë shtet, e që fatkeqësisht Kurti e ka injoruar po e injoron këtë fakt por tash po e shofim se po i bën të gjitha ato, por po i bën për qëllime populiste’’, shprehet deputeti Selmanaj për Front Online.
Beqa i PDK-së: Nuk më kujtohet asnjë punë e mirë e Qeverisë “Kurti”
Sikurse për LDK-në, edhe për PDK-në, tri vitet e Qeverisë Kurti janë dështim për Kosovën.
Për PDK-në dhe deputetin e kësaj partie, Hajdar Beqa kjo është njëra ndër qeveritë me të dobëta dhe një qeveri që nuk ka as vizion për zhvillim të vendit.
‘’Si njëri nga deputetët me përvojë, e kam parë Qeverinë Kurti si njërën nga qeveritë me të dobëta që i ka pasur Kosova pas luftës, një Qeveri që s’ka vizion as për zhvillim ekonomik, as për integrim të vendit, as për njohje, as për luftim të korrupsionit, as për me ia kriju një ambient qytetarëve për me jetu në Kosovë, por as komunitetit të biznesit për më i lënë me zhvillu vendin. Këto tri vite janë dështim për vendin edhe për brenda, edhe për aspektin e jashtëm’’, thotë Beqa për FrontOnline.
Deputetit Beqa, nuk është se i kujtohet ndonjë punë e mirë e kësaj Qeverie.
‘’Me keqardhje nuk më kujtohet asnjë punë që ne duhet me u mburrë të kësaj Qeverie’’, përfundon Beqa.
Deputetja e AAK-së: Qeveria “Kurti” erdhi me premtime, por sjelli mashtrim dhe dëshpërim
Ngjashëm sikur kolegët e saj opozitarë, mendon edhe deputetja e AAK-së, Time Kadriaj ku tri vitet e Qeverisë “Kurti” i quan dështim e dëshpërim për vendin.
“Tri vite dështim dhe dëshpërim, sepse Kurti ka ardhur me premtime të mëdha dhe qytetarët i kanë besuar dhe qytetarët kanë besuar në atë entuziazëm dhe sot kemi një Qeveri që ka dështuar në secilën fushë të jetës dhe kemi një Qeveri që vendin e ka dërguar në një izolim të marrëdhënieve me SHBA dhe BE dhe se Kosova ka rrugëtuar me aleatët dhe të dielën me 24 mars është 25 vjetori i bombardimit të NATO-s dhe janë aleatët që kanë ndihmuar Kosovën në çlirimin dhe pavarësimin dhe në shtet-ndërtimin e vendit’’, shprehet deputetja Kadrijaj për Front Online.
Deputetja Kadrijaj ka thënë se Kurti dikur thoshte se do t’i zhbëjë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare ndërsa sot merr vendim për Manastirin e Deçanit.
‘’Kurti ka thënë se nuk e voton asnjë marrëveshje dhe do të zhbëjë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare kur të vij në pushtet dhe kur erdhi në pushtet mori vendim për Manastirin e Deçanit’’ përfundon Kadriaja për Front Online.