20-vjeçari në Prishtinë kapet mat me armë ilegale, përfundon në pranga

19:33 | 23 Mars 2024
20-vjecari-ne-prishtine-kapet-mat-me-arme-ilegale,-perfundon-ne-pranga

Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona që posedojnë armë, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është zbuluar dje në rrugën ‘Nezir Spanca’ në Prishtinë, ku një njësi policore që po patrullonte në atë zonë ka ndalur për kontroll një person.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se gjatë kontrollit, të dyshuarit i është gjetur një armë zjarri me fishekë, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale.

20-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga organet e hetuesisë.

Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet në dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’.

Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“

Komento: