
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar sot se po bëhet shumë në sundimin e ligjit dhe se korrupsioni po luftohet në Kosovë .
“Ka më shumë sundim të ligjit. Korrupsioni po luftohet. Në indeksin e Transparency International mbi Perceptimin e Korrupsionit jemi përmirësuar për 21 vende në tri vjet dhe qëndrojmë në renditjen më të lartë ndonjëherë. Eliminimi i tij varet nga prokuroria dhe gjyqësori” shkruoi kryeministri Kurti në Facebook.
Për opozitën kosovare, ky deklarim i Kurtit është i pabesueshëm dhe i pa vërtetë.
Berisha i PDK-së: Kurti me deklaratat për korrupsionin mund të matet tani me diktatorët Putin, Grueski e Vuçiq
Për deputetin e PDK-së, Hisen Berisha, kryeministri Kurti është duke mashtruar dhe manipuluar e që sipas tij, kjo po ndodh si fushatë me afrimin e zgjedhjeve të reja.
‘’Tani kur zgjedhjet po afrohen, Qeveria Kurti, e ministrat e deputetët e tij, kanë nisur prapë fushatën e mashtrimit. Përndryshe jo që se ka ndalur, por, në qeverinë e tij ka lulëzuar korrupsioni e krimi i organizuar në nivelet më të larta qeveritare. Ketë e tha edhe vitin e kaluar, Raporti i Departamentit të Shtetit Amerikan’’, tha deputeti Berisha për FrontOnline.
Berisha thotë se Qeveria Kurti në mungesë të punës po krijon propaganda.
‘’Deklarata e tij është në vazhdën e gënjeshtrave dhe mashtrimit që bën ky Kryeministër, i cili për korrupsion lirisht mund të matet tani me diktatorët si Putini, Grueski, Vuçiqi, etj. Në mungesë të punës dhe mos përmbushjes së premtimeve të zotuara, këta kanë filluar fushatën me propagandë mashtruese, mekanizëm për marrje e mbajtje të pushtetit i regjimeve majtiste-komuniste, diktatoriale, fashiste etj’’, shprehet tutje Berisha.
Deputetja Krasniqi e LDK-së: Qeveria Kurti është duke e kultivuar korrupsionin, jo duke e luftuar atë
Për LDK-në dhe deputeten e kësaj partie, Rrezarta Krasniqin, numri i kontratave njëburimore dhe aferat e Martin Berishajt me energji elektrike, pastaj aferat me gurin, vajin dhe të tjera tregojnë se kjo Qeveri ka kultivuar korrupsionin dhe jo luftuar atë.
‘’Numri i madh i kontratave njëburimore apo me mirë thënë të negociuara në tavolinë është treguesi më i qartë për nivelin e korrupsionit në këtë Qeveri. Aty flitet për miliona euro para të ndara përmes atyre kontratave. Pra, këta janë duke e kultivuar korrupsionin, jo duke e luftuar atë. Pastaj afera e Martin Bershajt me energji elektrike, “avullimi” i rezervave shtetërore, vaji, sheqeri, gruri etj. Ky pushtet është fatkeqësia e këtij vendi dhe populli’’, thotë deputetja Krasniqi për FrontOnline.
Deputetja e AAK-së: Kurti na kënaqi me deklarata që as vetë nuk iu beson
Deklarimet e Kryeministrit Albin Kurti se po e luftojnë korrupsionin, për deputeten e AAK-së, Albana Bytyqin, janë të pabesueshme e që sipas saj as ai vetë nuk iu beson këtyre deklaratave.
‘’Kryeministri Kurti na kënaqi me këso deklarata që as ai vetë nuk ju beson. Raportet e huaja nuk e kanë thënë e as nuk po e thonë të njëjtën gjë dhe kemi shumë skandale që tashmë janë bërë publike sa i përket aferave korruptive’’ shprehet Bytyqi për FrontOnline.
Më tutje deputetja Bytyqi thotë se kryeministri Kurti nuk do të mund ta mashtrojë askënd me propagandë të një qeverisje të mirë, pasi që është dëshmuar e kundërta.
‘’Kryeministri nuk mund ta mashtrojë më askënd më këtë propagandë të një qeverisjeje të mirë, sepse pushteti i tij është dëshmuar se ka qenë që nga fillimi një dështim. Është marre qysh hala vendosë me e përdorë të njëjtën narrativë që kur ka ardh në pushtet’’ përfundon Bytyqi/FrontOnline/