S’ka dialog, ka protesta e grevë/ Rrahman Jasharaj: Me 1 Maj protestojmë, MASHT-i dhe Qeveria po na injoron

08:03 | 27 Mars 2024
s’ka-dialog,-ka-protesta-e-greve/-rrahman-jasharaj:-me-1-maj-protestojme,-masht-i-dhe-qeveria-po-na-injoron

Greva e protestat po paralajmërohen këtë vit nga mësimdhënësit.

Një situatë e tillë mund të krijohet si shkak i moskumunikimit që Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) thotë se e ka me Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT).

Këta të fundit, sipas SBASHK-ut, janë mbyllur në komunikim dhe nuk i përgjigjen kërkesave të tyre.

Kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj në një prononcim për Front Online thotë se kjo situatë po vije si shkak i injorimit dhe mungesës së dialogut që sindikata që ai udhëheq po e ka me MASHT-in, konkretisht ministren e arsimit, Arbërie Nagavcin.

Sipas tij, ka muaj që nuk ka pasur takim dhe kontakt me ministren Nagavci për t’i shprehur shqetësimet dhe kërkesat e sindikatës që drejton ai.

‘’Në takimin online të së shtunës, kryetarët që përfaqësojnë të punësuarit në sektorin e arsimit që nga çerdhet e deri në universitete, kanë ngritur shqetësimet se pse po mungon dialogu me fajin e Qeverisë, sidomos janë ndalur te Ministria e Arsimit, sepse zonja Nagavci ka muaj, pra nga greva e kaluar nuk ka gjetur kohë për t’u takuar me ne , për t’i diskutuar dhe dëgjuar kërkesat dhe shqetësimet tona dhe duke e parë këtë situatë, ka rrjedhur ideja që meqë po mungon dialogu me znj.Nagavci, të hyjmë në grevë dhe të organizojmë protesta’’, shprehet Jasharaj për Front Online.

Kryesindikalisti Rrahman Jasharaj: Kam frikë se do të përsëritet situata e 2022-tes me grevë në arsim

Kreu i SBASH-ut, Rrahman Jasharaj, ka treguar se cila është kërkesa e tyre duke paralajmëruar kështu se me 1 maj do të ketë një protestë ku do t’i shprehin të gjitha pakënaqësitë e tyre.

Sipas tij, kjo do të ndodhë për fajin e Qeverisë dhe ministres Nagavci, për shkak të qasjes, siç tha ai, të gabuar që ata kanë ndaj tyre.

‘’Kërkesa jonë është të ketë dialog me MASHT-in, që t’i shprehim kërkesat dhe shqetësimet tona me ta. Qeveria Kurti po vazhdon me qasjen e gabuar dhe një gjë të tillë e shohim edhe tek zonja Nagavci, atëherë duke munguar dialogu me fajin e Qeverisë, ne kemi filluar të mendojmë për veprimet sindikale, mbase edhe me sindikata tjera do të mendojmë të kemi një protestë me 1 maj për ti shprehur gjitha pakënaqësitë dhe për ti publikuar edhe njëherë kërkesat tona dhe të tjerëve SEPSE EDHE ato kanë pakënaqësi si për Marrëveshjen Kolektive, për Ligjin e Pagave, për sigurimet shëndetësore’’, thotë Jasharaj për FrontOnline.

Ai thotë se greva e vitit 2022 mund të përsëritet këtë vit sepse sipas Jasharajt, ngjashëm kishte nisur edhe atëherë pakënaqësia.

‘’Unë kam frikën se kështu ka nisur edhe greva me 2022 dhe kam frikën se mund të përsëritet situata e njëjtë, sepse edhe atëherë filluam me protestën e 20 majit me pjesëmarrjen e 19 mijë sindikalistëve, pastaj greva një orëshe. Kam frikën se Qeveria do të shkojë me avazin e vjetër të qasjes me sindikata dhe dialog. Unë nuk po dua të krijoj tensione para kohe por jam i prirur të ngirsë zërin e anëtarësisë sepse çdo vendim që merr anëtarësia unë jam i thirrur të zbatojë atë. Ne po kërkojmë që Qeveria të ndërroj qasje dhe t’ i kthehet dialogut dhe të mos i kthehet situatave të vitit 2022’’, përfundon Jasharaj.

Ish-ministri i Arsimit: Shpresoj të mos përsëritet viti 2022 me greva

Ish-ministri i Arsimit, Shyqri Bytyqi thotë se Qeveria dhe sindikata duhet të përqendrohen në ndërtimin e një dialogu konstruktiv dhe efikas, në mënyrë që të shmangen nga veprimet që do të kishin ndikim negativ në procesin mësimorë.

‘’Unë mendoj se si qeveria ashtu edhe sindikata, duhet të përqendrohet në rëndësinë e ndërtimit të një dialogu konstruktiv dhe efikas. Qeveria duhet të demonstrojë një vullnet të qartë për të dëgjuar dhe adresuar shqetësimet e sindikatës. Ndërkaq, sindikatat duhet të qëndrojnë të hapura për kompromis dhe të kërkojnë rrugë paqësore dhe konstruktive për të zgjidhur çështjet, duke shmangur veprime që mund të kenë ndikim negativ në procesin mësimor edhe ashtu të brishtë’’, tha ish-ministri Bytyçi për FrontOnline.

Ish-ministri Bytyqi shpreson që të mos ndodh gabimi i njëjtë me greva sikur ai i vitit 2022

‘’ Është kyçe që të dyja palët të angazhohen në një mënyrë transparente, të bazuar në respektin reciprok dhe në kërkimin e zgjidhjeve që mbështesin zhvillimin e arsimit dhe mirëqenien e punëtorëve në këtë sektor. Shpresoj nga të dyja palët mos ta bëjnë gabimin e njëjtë të vitit 2022’’, thekson ai.

Ish-zëvendësministri i Arsimit: Grevat e SBASHK-ut po i kushtojnë arsimit në Kosovë

Për ish-zëvendësministrin e arsimit dhe njohësin e çështjeve arsimore, Xhavit Rexhajn, paralajmërimet e SBASHK-ut për protesta e greva në shtator, janë të pakuptueshme dhe veprimet e tilla po i kushtojnë shumë arsimit në Kosovë.

Sipas Rexhajt, sa herë ka pasur greva dhe protesta të tilla, gjithmonë është paguar çmim më i shtrenjtë.

‘’Unë gjithmonë kam qenë kundër grevave të SBASHK-u,  sepse gjithmonë kemi paguar çmim me të shtrenjtë dhe kanë pasur përfitim në bazë të kërkesave fillestare. Ky paralajmërim i hershëm se pa e ditur se çfarë duan, me të vërtetë nuk e kuptoj. Këto grevat e SBASHK-ut po i kushtojnë shumë arsimit në Kosovë’’, tha për FrontOnline, ish-zëvendësi i MASHT-it, Xhavit Rexhaj.

Qehaja: Kërcënimi me grevë i SBASHK-ut, i  papranueshëm

Drejtori Ekzekutiv i Institutit EdGuard, Rinor Qehaja thotë për FrontOnline se kërcënimi me grevë i SBASHK-ut është i papranueshëm.

Ai thotë se është për rritje të pagave për mësimdhënësit, por jo duke cenuar procesin mësimor.

‘’Kërcënimi me greve me ndërprerje te procesit mësimorë është i pa pranueshëm. Vet nxitja e këtij debati pas një viti mësimor me më shumë së një muaj të humbur nga greva pa rezultat është e pakuptimtë. Po, rritja të pagave të mësimdhënësve, mirëpo jo realizim të kësaj kërkese duke cenuar procesin mësimor’’.

Qehaja thotë se greva është e drejt ligjore por jo edhe ndërprerja e të drejtës për shkollimin e nxënësve.

‘’Besoj shumë në vullnetin e mirë të SBASHK për të parashtruar këto kërkesa me reagime të tjera sindikale. Greva është e drejt ligjore mirëpo jo edhe ndërprerja e te drejtës së shkollimit për nxënës’’- tha Qehaja /FrontOnline/

 

 

 

 

 

 

 

Komento: