
Kryeministri Albin Kurti është deklaruar për gazetarët para komunës së Mitrovicës së Veriut ku zhvilloi një takim me kryetarin Erden Atiq.
Ai tha se qëllimi i vizitës së tij në këtë komunë ishte dhënia e mbështetjes së Qeverisë për këtë komunë.
“Me kryetarin Eden Atiq bashkëbiseduam për mbarëvajtjen e punëve këtu. Mbështetje si qeveri për këtë komunë dhe për të gjitha shërbimet që i jepen qytetarëve pa dallim”.
Kurti foli edhe për vizitat në përmendoren e policit të vrarë, Enver Zymberi dhe në vendin ku u vra edhe polici Afrim Bunjaku.
“Vizituam edhe përmendoren e Enver Zymberit që tani do t’i mbushte 45 vjet, por është vrarë, siç e dimë në korrik të 2011. Po ashtu, e vizituam edhe vendin ku ishte organizuar ajo prita kriminale ku është vrarë Afrim Bunjaku më 24 shtator të vitit të kaluar nga paramilitarët dhe terroristë që tash fshihen në Serbi”./Express