
Për ish-partinë e saj LDK-në, subjekti i cili para tri viteve ia kishte mundësuar kuorumin për t’u bërë Presidente e Kosovës, Vjosa Osmani nuk ka qenë në nivelin e detyrës, por ka qenë e nënshtruar para Qeverisë dhe Kryeministrit Albin Kurti e poashtu nuk ka mbrojtur interesat e Kosovës.
Nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri, thotë për FrontOnline se Osmani nuk ka qenë në anën e duhur dhe nuk ka qenë në nivelin që do të duhej të ishte.
“ Për mendimin tim ka qenë dashur të jetë në nivel të detyrës që i ka taku. Ka qenë e nënshtruar para Qeverisë kryeministrit dhe nuk i ka mbrojtur interesat e Kosovës karshi faktorit ndërkombëtar, dmth nuk ka qenë në anën e duhur deri tash në momentet e fundit, por edhe tash jam skeptik që do të ndikoj diçka për të qenë në anën e shtetit të Kosovës, jo me shiku interesin e saj apo të partnerit të koalicionit qeverisës’’
Muhaxheri ka treguar arsyet pse para tri viteve LDK-ja ia kishte mundësuar kuorumin Osmanit.
‘’Ne e kemi kry obligimin ndaj shtetit të Kosovës dhe ndaj saj si person, ia kemi mundësuar me qenë Presidente edhe me e pa sa ka me qenë e aftë ajo për ta luajtur rolin e Presidentes’’.
Vjosa Osmani për LDK-në nuk shihet si garancë e raporteve mes Kosovës dhe SHBA-së.
‘’Nuk e kam besimin e plotë se mundet me qenë garancë e raporteve Kosovë-SHBA, por ta shohim kur të vije para sfidave të mëdha si do të jetë’’, tha Muhaxheri për Front Online.