Ajax nuk njeh kundërshtarë, e mposhtë edhe Tottenhamin

23:01 | 30 April 2019

Ajaxi nuk po njeh kundërshtarë.

Ajax me një këmbë në finalen e Madridit në Champions League. Skuadra holandeze vijon të bëjë mrekullinë në këtë sezon, teksa ka arritur që të fitojë minimalisht 0-1 në gjysmëfinalen e parë ndaj Tottenhamit.

Trajneri Te Hag vijon të marrë më të mirën nga talentet që ka në skuadër, duke triumfuar edhe në impiantin e ri të “Spursave” në Londër.

Ndeshja nisi më mirë për skuadrën holandeze që ushtron presing shumë lart në zonën e ekipit anglez. Në minutën e 15-të pas një aksioni të shpejt, Van de Beek shënoi golin e avantazhit, në një mënyrë shumë të ngjashme me golin e shënuar në Torino ndaj Juventusit.

Sulmuesi i talentuar do të kishte mundësinë për të shënuar golin e dytë 10 minuta më pas, por këtë herë do të ndalej nga një pritje fantastike e Lloris. Tottenham zgjohet dhe jep sinjalin e parë të rrezikshëm vetëm në minutën e 26-të, por tentativa me kokë e Llorenten lë për të dëshiruar.

Disa minuta më pas ekipi i Pochettinos merr një tjetër goditje të rëndë, pasi mbrojtësi Vertoghen u largua pas një dëmtimi të shkaktuar nga portieri i miqve, Onana. Në shtesën e fraksioni të parë, Alderweireld tentoi me një goditje me kokë, por që do të përfundonte mbi traun e portës.

Në fillimin e fraksionit të dytë, ekipi holandez i afrohet golit të dytë me Tagliaficon, ndërkohë që “spursat” vuajnë shumë në ndërtimin e aksioneve sulmuese. Në minutën e 55-të, Trippier shërben mjaft mirë për Dele Alin, por goditja me kokë e talentit anglez nuk shkon në kuadratin e portës.

Loja bëhet edhe më e bukur në minutat në vijim, me vendasit që marrin më shumë iniciativë, ndërkohë që Ajax vuan disi lodhjen, duke i dhënë më shumë hapësirë kundërshtarëve.

Në minutën e 77-të pas një kundërsulmi model, Neres gjen shtyllën e majtë të portierit Lloris, i cili qëndroi i palëvizur në portë. Pavarësisht përpjekjeve të shumta të ekipit të Pochettinos, holandezët ruajtën avantazhin deri në fund. Gjysmëfinalja e kthimit do të luhet më 8 maj në Amsterdam

Komento: