
Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Shtypit. Kjo ditë u shënua edhe në Kosovë, me shumë pakënaqësi dhe raporte të publikuara mbi lirinë e shtypit në vend.
Në këtë ditë u publikua edhe raporti nga ‘’Reporterët pa Kufij’’, e ku Kosova qëndron 19 vende më keq se sa në vitin e kaluar dhe po ashtu qëndron më së keqti në dhjetë vitet e fundit.
Për opozitën kosovare, gazetarët në vend, e profesorët univeristar të gazetarisë, ky raport është shqetësues dhe duhet marrë sa seriozisht aq edhe duhet analizuar mbi të gjeturat.
Deputeti i VV-së: Kosova vendi më demokratik në Ballkan
Deputeti i VV-së, Fitim Haziri njëherit anëtar tek Komisioni Parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, thotë për FrontOnline se raporti i fundit i publikuar nga ‘’Reporterët pa Kufij’’ flet për rastin e Klan Kosovës dhe për disa gazetarë tek rasti i Banjskës, dhe se nuk ka qenë sulm direkt ndaj lirisë së mediave.
‘’Nëse e lexojmë dhe e shohim raportin, e vëren se aty ai flet për rastin e Klan Kosovës dhe për disa gazetarë tek konflikti në Mitrovicën e Veriut. Nëse flasim në aspektin e Klan Kosovës, nuk ka qenë direkt sulm ndaj mediave, ndaj lirisë, por ka qenë për shkak të mosrespektimit të Kushtetutës, ku një medium ka pranuar të regjistroj biznesin e tyre në Serbi, në emër të qytetit që i referohet toponimeve serbe Pejë-Peç’’ thotë ai.
Deputeti Haziri potencon se më e rëndësishme është respektimi i ligjit të Kosovës se sa çfarë mund të thonë raportet si ky i Reporterëve Pa Kufij.
‘’Më e rëndësishme është të respektohen ligjet e Kosovës se sa të tjerat. Ne Klan Kosovën nuk e kemi ndaluar as nuk e kemi marrë licencën, nuk ka pasur këtu ndërhyrje tek liria e medias, tek liria e shprehjes’’ thekson ai.
Ai më tej thotë se Kosova është vendi më demokratik në Ballkan.
‘’Sipas raporteve të organizatave ndërkombëtare, është vendim më demokratik, jemi vendi i parë në Ballkan e kështu nuk po e di ky raporti i fundit qysh e kanë trajtu rastin e Klanit’’ shton deputeti Haziri për FrontOnline.
Lushtaku: Qeveria “Kurti” po tenton t’i kontrollojë dhe t’i shantazhojë mediat
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, njëherit edhe anëtar në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, e sheh shqetësuese raportin e publikuar nga Reporterët pa Kufij. Sipas tij, Qeveria ka futur duart në media, duke vendosur Kosovën në pozitën e 75-të, ndryshe kur kishte qenë në pozitën 56-të.
‘’Është shumë shqetësuese se si në këtë raport tregohet edhe njëherë se Qeveria ka futur duar në media, duke vendos Kosovën në pozitën e 75-të, kur e dijmë se ishte në vendin e 56, dhe kjo tregon edhe më shumë për kritikat që kemi ndaj kësaj qeverie, që po mundohet të kryej një autoritet dhe ti kontrolloj mediat dhe për ti shantazhuar mediat dhe nuk është i rastësishëm ky raport’’ thekson Lushtaku.
Deputeti Lushtaku tutje thotë se gazetarët dhe mediat duhet të jenë të lira në punën e tyre editoriale dhe hulumtuese.
‘’Mediat dhe gazetarët duhet të jenë të lira, të pavarura dhe nuk duhet të cënohet liria e tyre editoriale dhe hulumtuese’’ potencon ai.
Ai shton po ashtu se nuk është e vërtetë se VV nuk është përzier në punën e mediave, por që sipas tij, Qeveria ka provuar të bëjë kontrollë mbi media dhe gazetar.
‘’Nuk ka asgjë të vëretë nga VV, ne kemi denuar dhunën ndaj gazetarëve në Veri, tentimi i Qeverisë për ti kontrolluar mediat nuk është hera e parë dhe bëjmë thirrje që Qeveria të i largoj duart nga mediet dhe gazetarët’’ përfundon deputeti Lushtaku për FrontOnline.
Krasniqi e LDK-së: Kryeministri Kurti do të duhej të thirrej në përgjegjësi
Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, thotë për FrontOnline se raporti i “Reporterëve pa Kufij”
tregon se për tri vite rresht Qeveria Kurti ka sulmuar mediat dhe ka shantazhuar gazetarë të ndryshëm.
‘’Reporterët pa Kufij” e kanë renditur Kosovën për 19 pozita më ulët në raportin e fundit. Liria e shprehjes për mediat është një nga të drejtat themelore dhe kjo Qeveri për tri vite me radhë ka sulmuar mediat, ka shantazhuar gazetarë të ndryshëm dhe madje ka tentuar të i mbyll mediat’’ thotë ajo.
Krasniqi shton se kryeministri Kurti do të duhej të thirrej në përgjegjësi, sepse, siç thotë ajo, ka organizuar fushata kundër mediave
‘’Ai sot duhet të thirret në përgjegjësi sepse ka organizuar fushata kundër mediave dhe çdo kujt që nuk mendon si ai’’ thekson ajo.
Krasniqi shprehet se Kurti duhet të ndihet i turpëruar në këtë drejtim.
‘’Albin Kurti duhet të ndihet i turpëruar sepse në drejtim e tij Kosova është bërë vendi që kryeson për se keqi ne çdo raport ndërkombëtare. Baza e demokracisë është lira e mediave, ky është duke e rrënuar demokracinë e shëtit tonë’’ përfundon ajo për FrontOnline.
Nitaj i AAK-së: Raporti tregon shenjat e para se po ndërtohet një pushtet autoritar
Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Muharrem Nitaj në një prononcim për FrontOnline, raportin e Reporterëve pa Kufij e konsideron mesazh të keq për vendin, pasi që sipas tij do të duhej Kosova të ngritej e jo të ulej në indeksin e lirisë së medias.
‘’Është mesazh shumë i keq. Do te duhej te ishte e kundërta dhe Kosova të ngritej në indeksin e lirisë së medias. Këto janë shenjat e para se po ndërtohet një pushtet autoritar’’ shprehet Nitaj.
Ai thekson se në vend se Qeveria ta mbështetë median, ajo nuk po i ndalë sulmet ndaj gazetarëve dhe mediave
‘’Në vend qe të mbështetej media e të shihej si aleate e qeverisë dhe e pushtetit, ajo nuk po i ndalë sulmet ndaj gazetarëve e mediave që janë kritike ndaj qeverisë. 19 vende me poshtë janë shumë’’ deklaron tutje ai.
Nitaj shprehet se vlerësimi nga Reporterët pa Kufij do i qëndroj gjatë Kosovës.
‘’Tashmë nuk mund të flitet për liri të garantuar të medias dhe ky vlerësim do t’i qëndroj gjate Kosovës. Vendi qe s’ka liri te plote të medias nuk mund të konsiderohet vend i lirë. E dhimbshme që edhe pas kaq shume vitesh të flasim për lirinë’’ përfundon sekretari i AAK-së për FrontOnline.
Paçarizi: Aty ku nuk ka media të lira, ka mungesë të demokracisë – Raportet si ai i Reporterëve Pa Kufij e dëmtojnë Kosovën
Profesori universitar i gazetarisë, Rrahman Paçarizi, për FrontOnline thotë se është fatkeqësi kur ka degradim të lirisë së medias dhe kur ka të tilla gjetje në të tilla raporte, pasi që sipas tij ato janë me burime kredibile.
‘’Unë mendoj se është fatkeqësi e madhe për neve, për një demokraci, kur ka degradim të lirsië së medias, fatkeqësi është edhe kur nuk ka lëvizje përpara, e lërë më kur ka një degradim kaq të madh siç është konstatuar në raportin e Reporterëve Pa Kufij, sepse ato janë burime kredibile, nuk janë fundi i botës, por janë këmbanë alarmi për instutcionet’’ thekson profesori Paçarizi
Ai thotë se duhet institucionet por edhe qytetarët të angazhohen për ruajtjen e lirisë së medias, nëse ia duan të mirën vendit, pasi që sipas tij aty ku nuk ka liri të medias, ka mungesë të demokracisë.
‘’Edhe institucionet por edhe për qytetarët, dhe të gjithë ata që ia duan të mirën e vendit, të duhet të angazhohen për ruajtjen e lirisë së medias. Një vend ku nuk ka liri të medias, është një vend me mungesë të demokracisë’’ shton profesori Paçarizi.
Profesori universitar thekson po ashtu se duhet pasur kujdes tash e tuje pasi që sipas tij raporte si ky dhe të tjera dërgohen nepër qendra të ndryshme të vendimarrjes e që mund ta demtojnë vendin tone.
‘’Duhet pasur kujdes tash e tutje, dhe ky raport le të na shërbej të gjithëve dhe të kemi kujdes, sepse raporte të tilla përcillën në qendra të ndryshme të vendimarrjes dhe kjo e dëmton reputacionin e vendit tonë’’ përfundon Paçarizi për FrontOnline.
Matoshi: Kosova me një lider popullist rrezikon me e futë vendin në listë të shteteve të dështuara
Gazetari shumëvjeçar, Halil Matoshi, për FrontOnline thotë se si pasojë e popullizmit, Liritë Civile kanë rënë globalisht.
‘’Si pasojë e popullizmit, sipas Freedom House, Liritë Civile kanë ra globalisht për 18-vjet rresht. Kosova me një lider popullist rrezikon me e futë vendin në listë të shteteve të dështuara/Fail State ende pa u bërë shtet i përfunduar, pa ulëse në OKB’’ thotë Matoshi.
Ai shton se sikurse raportet e DASH, Freedom Hause dhe ky i fundit Reporterët pa Kufij, kanë gjetur se zyrtarët e Qeverisë, u angazhuan në fushata për të dëmtuar besimin e publikut tek mediet.
‘’Sikur DASH e Freedom Hause edhe Reporterët pa kufij kanë gjetur se zyrtarët e qeverisë, përfshirë kryeministrin dhe drejtuesit e partisë në pushtet, u angazhuan në fushata për të dëmtuar besimin e publikut tek mediat’’ thekson Matoshi për FrontOnline.
Matoshi më tej thotë se Qeveria ka ndikuar që përmes denigrimit dhe shtrëngimit të gazetarëve dhe opinionistëve të perceptohen ata si armiq të vendit e bashkëpunëtor të Serbisë.
‘’Kësisoj, Qeveria ka ndikuar përmes denigrimit e shtrëngimit që gazetarët dhe opinionistët në publik të përceptohen si armiq të vendit dhe bashkëpunëtorë të pesidentit të Serbisë’’ përfundon Matoshi,
Njohësi i mediave, Alban Zeneli: Ky raport e bën Kosovën si një vend jo të lirë dhe jo demokratik
Njohësi i mediave dhe profesori i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Alban Zeneli, në një prononcim për FrontOnline thotë se raporti i publikuar nga Reporterët pa Kufij, paraqet një gjendje reale të mediave në Kosovë.
‘’Raporti paraqet një gjendje reale të lirisë së mediave në Kosovë. Nëse i shohim indikatorët matës me të cilët ata masin lirinë e shprehjes në vende të ndryshme, e bëjnë të qartë që indikatorët që kanë ndryshu në Kosovë ka të bëjë me sigurinë e gazetarëve dhe presionin politik përmes gjuhës së urrejtjes që shfaqet kryesisht përmes mediave sociale’’
Zeneli, më tej thotë se Qeveria po mundohet që faji për këtë raport të hedhet tek situata e cila kishte ndodhur në Veri, por që sipas tij Qeveria duhet të ofroj siguri për gazetarët.
‘’Qeveria po mundohet që faji ta hedhë tek sulmet fizike tek protesuesit e huliganët serb në veriun e Kosovës, por ne nuk duhet të harrojmë që kërkesa për siguri të gazetarëve, duhet të drejtohet drejt Qeverisë dhe organeve tjera ligj-zbatuese siq është edhe Policia. Një indikator tjetër që është i rëndësishëm e që ka ndiku në degradimin e Kosovës në këtë indeks, është edhe indikatori social, i cili është indikator që përfshinë edhe gjuhën e urrejtjes që përdorin partitë politike në Kosovë’’ potencon ai.
Profesori Zeneli, thotë se raporte si ky e dëmtojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe e paraqet Kosovën si një vend jo demokratik dhe me liri jo të plotë.
‘’Ne jemi dëshmitarë që një numër i madh i zyrtarëve të Kosovës nuk kanë ngurruar me i sulmuar mediat me një gjuhë të rëndë denigruese dhe kjo natyrisht pasqyrohet në të tilla raporte. Nëse flasim për imazhin e Kosovës, në këtë rangim kemi një degradim prej 19 vendve, vende të tilla ku nuk ka liri të plotë të medias, nuk shihen si vende që kanë demokraci të mirëfillt dhe ky raport e bën Kosovën si një vend jo të lirë dhe jo demokratik’’ përfundon Zeneli/FrontOnline/