Mourinho me deklaratë tejet befasuese për Lionel Messin

21:25 | 01 Maj 2019

Jose Mourinho ka bërë një deklaratë mjaftë interesante për Leo Messin.

Ish-trajneri i Real Madridit dhe Manchester Unitedit ka lartësuar Messin duke theksuar se argjentinasi është futbollisti më i veçantë tërë kohën, para ndeshjes së Barcelonës kundër Liverpoolit në Ligën e Kampionëve të mërkurën.

Barça dhe Liverpooli do të takohen në Camp Nou për ndeshjen e parë mes tyre në gjysmëfinale në Ligën e Kampionëve.

Gjiganti katalonas e shkatërroi 4:0 Manchester Unitedin pas dy ndeshjeve çerekfinale, derisa të kuqtë kaluan tutje në kurriz të Portos pas triumfit 6:1 pas dy ndeshjeve.

Lionel Messi ishte në formë të shkëlqyer, tipike për të, kundër Unitedit, duke i shënuar dy gola në fitoren 3:0 në Camp Nou. Forma e tij në përgjithësi këtë sezon tregon se Liverpooli do ta ketë të vështirë ta ndalë atë.

Argjentinasi i prin garës për Këpucën e Artë në Evropë me 34 gola në La Liga, ndërsa në garat e kupës i ka shënuar 12 të tjera, të gjitha këto në 44 paraqitje.

Mourinho, i cili në të kaluarën ka qenë kundërshtar i Messit si trajneri i Real Madridit, beson se ai do ta udhëheqë Barcelonën drejt finales së parë në Champions që prej vitit 2015.

“Do të thosha, Barça pa Messin, e bën Liverpoolin favorit. Por me Messin, është Barça, sepse Messi është Messi”, tha Mourinho.

“Nuk them se Messi është më i veçanti i javës, por më i veçanti çdo herë. Ai i shënoi dy gola ndaj Man United… ai i shënon dy gola çdo herë”, shtoi ai.

Komento: