QUINT: Ndalimi i vizitës së Profirije në Kosovë në Kundërshtim me Planin e Ahtisarit dhe obligimet e dialogut

13:33 | 14 Maj 2024
quint:-ndalimi-i-vizites-se-profirije-ne-kosove-ne-kundershtim-me-planin-e-ahtisarit-dhe-obligimet-e-dialogut

Shtetet e QUINT-it kanë reaguar pasi Kosova nuk ia ka lejuar hyrjen në territorin e Republikës, Patriarkut Porfirije të Kishës Ortodokse Serbe.

QUINT bashkë me zyrën e BE-së kanë deklaruar se janë të shqetësuar me një vendim të tillë të Kosovës për të ndaluar vizitën e Porfirije dhe peshkopëve të tjerë shoqërues që do të merrnin pjesë në fillimin ceremonial të Kuvendit të rregullt të Sinodit në Patriarkanën e Pejës.

“Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë janë të shqetësuara nga vendimi i Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar patriarkun Porfirije të Kishës Ortodokse Serbe dhe peshkopët e tij shoqërues të hyjnë në Kosovë për të marrë pjesë në fillimin ceremonial të asamblesë së rregullt vjetore të Sinodit në Patriarkanën e Pejës/Pejës”, thuhet në reagim, transmeton Front Online.

Sipas këtij reagimi, vendimi i Qeverisë së Kosovës është në kundërshtim me dispozitat e Planit të Ahtisarit dhe obligimet e dialogut.

“Vendimi i Qeverisë është në kundërshtim me dispozitat e Planit Ahtisaari, i cili përcakton qartë të drejtat, privilegjet dhe imunitetin për klerin e Kishës Ortodokse Serbe dhe nuk është në përputhje me detyrimet e Kosovës në Dialogun e BE-së. Ne presim që Qeveria e Kosovës të përmbushë standardet më të larta të të drejtave të njeriut si në kuadrin ligjor ashtu edhe në veprimet e saj, të veprojë në interes të të gjithë qytetarëve të saj dhe të mbajë vlerat dhe përgjegjësinë e saj thelbësore ndaj stabilitetit rajonal. Ne vazhdojmë t’u bëjmë thirrje të dy palëve të përmbahen nga çdo veprim dhe retorikë që mund të rrisë tensionet dhe mund të çojë në incidente”, thuhet tutje në reagim.

Komento: