
Të mërkurën me fillim nga ora 10:00 deputeti Haki Abazi shpall “vdekjen e Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës” dhe pastaj ua “hap të pamën”.
Sipas tij, qytetarët e Kosovës janë duke u “mashtruar” nga “loja e ndytë” e kryeministrit, Albin Kurti.
“Të nderuara media dhe qytetarë, policë, mjekë, arsimtarë, prindër dhe të gjithë njerëzit e Kosovës që kanë pritur transformimin e madh të ndryshimeve politike dhe janë tradhtuar dhe mashtruar nga loja e ndytë e Kurtit dhe poltronëve të tij. Nesër në ora 10:00 në Kuvendin e Kosovës hapim të pame për vdekjen klinike të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës. Si shtëpi e qytetarëve dhe shtëpi e juaj dhe e demokracisë, ju ftoj që kurdo që keni kohë të vizitoni Kuvendin e Kosovës nga ana e hyrjes së Deputetëve përballë zyrës së Bashkimit Evropian. Aty në ora 10:00 do të bëhet shpallja publike e vdekjes së Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës!”, ka shkruar Abazi në Facebook.
Abazi shtuar se “një popull nuk i nënshtrohet një njeriut” dhe kështu ka ftuar ata që ndjehen të “tradhtuar” t’i bashkëngjitën të mërkurë prej orës 10:00.