A do të pensionohet Casillas pas problemit shëndetësor, flet doktori i Portos

14:22 | 02 Maj 2019

Rasti i portierit spanjoll, Iker Casillas tronditi botën e futbollit.

Nelson Puga, shefi i shërbimit mjekësor të Portos, ka konfirmuar se atak në zemër që Iker Casillas e pësoi dje gjatë një seance stërvitore me bashkëlojtarë, nuk do të ketë pasoja në shëndetin e spanjollit në të ardhmen.

Casillas u dërgua me urgjencë në spital pas atakut në zemër të mërkurën në mëngjes dhe më pas iu nënshtrua një operacioni për ta zgjidhur problemin.

Megjithatë, tani janë ngritur pyetje nëse legjenda e Real Madridit dhe Spanjës do të mundë të vazhdojë karrierën e tij profesionale me Porton, pas asaj që ndodhi.

“Do të varet nga mjekimi për të cilin ka nevojë. Do të varet në vlerësimin i cili duhet të bëhet jo vetëm në rastet e pushimit por edhe në stresin i cili vjen si pasojë e ushtrimeve fizike e po ashtu në vullnetin që ai e ka për të vazhduar”, tha Puga për Porto Canal.

“Me qetësi dhe shumë dialog, do të vendosim nëse ai duhet të vazhdojë të luajë apo ta ndërpresë karrierën”, shtoi ai.

Menjëherë pasi gjendja ishte qetësuar dhe procedurat mjekësore ndaj tij ishin kryer, 37-vjeçari u kishte shkruar miqve më të afërt, duke u thënë shkurt: “Jam mirë”.

Casillas do t’i mbushë 38 vjet këtë muaj dhe ka qenë pjesë e Portos që prej vitit 2015 dhe sapo e ka rinovuar kontratën me klubin portugez për një sezon, me opsion për të paktën edhe një vit tjetër.

Komento: