Ylli i Juventusit ka thënë se tifozët e Real Madridit po e lusin që të kthehet atje.
Cristiano Ronaldo pretendon se njerëzit dëshirojnë ta shohin atë duke dështuar në Juventus, mirëpo e ka pranuar se i pëlqen t’i dëgjojë tifozët e Real Madridit duke ia kërkuar kthimin në “Santiago Bernabeu”.
Transferimi i Cristiano Ronaldos nga Real Madridi në Juventus verën e kaluar besohet se ndodhi për shkak të prishjes së marrëdhënieve të tij me drejtuesit e klubit madrilen, të cilët nuk e mbrojtën portugezin kur ai kishte probleme me taksat e tij.
“Të gjithë më trajtuan mirë në Spanjë. Përkundër problemeve të mia me taksat, të cilart s’mundem as t’i fsheh e as t’i harroj, unë vazhdoj ta mbaj kokën time lart dhe jeta ime është si një libër i hapur”, ka thënë Ronaldo për “El Pais”.
“Tifozët në Madrid më duan shumë. Ata e dinë që unë kam dhënë shumë për Real Madridin dhe kur i shoh në rrugë, ata më thonë: “Kthehu Cris, kjo do të jetë gjithmonë shtëpia jote”. Më pëlqen ta dëgjoj këtë gjë”.
“Kritikët më shohin si një person që kurrë nuk ka probleme apo shqetësime, i cili nuk mund të mërzitet asnjëherë. Njerëzit nuk mendojnë se edhe kur ke para, mund të kesh probleme”.
“Si mund të jetë Cristiano i mërzitur kur i ka të gjitha ato miliona euro? E di që njerëzit i mbajnë armët e tyre të drejtuara nga unë, duke pritur që unë ta humbas ndonjë penallti ose të dështoj në ndonjë moment vendimtar”.
“Por, kjo është pjesë e jetës dhe unë duhet të qëndroj i përgatitur, ashtu siç kam qenë për të gjitha këto sezone”.
Ronaldo i kaloi nëntë sezone në Real Madrid, ku i shënoi 450 gola dhe i asistoi 131 të tjera në 438 paraqitje. Që nga vera e kaluar, ai ka luajtur në 40 ndeshje për Juventusit, duke kontribuar me 27 gola dhe 13 asiste.