Pse e la Juventusin për Milanin, Bonucci zbulon arsyen e vërtetë

15:24 | 03 Maj 2019

Pse e la skuadrën e Juventusit për atë të Milanit? Këtë e ka zbuluar vet Bonucci.

Leonardo Bonucci pretendon se ai nuk po mendonte qartësisht kur u transferua në Milan dhe bëri të ditur se kishte refuzuar oferta nga klube kineze për t’iu bashkuar Juventusit sërish.

Qendërmbrojtësi italian i kishte tronditur të gjithë verën e vitit 2017, kur u transferua nga Juventusi në Milan. Vetëm një vit më vonë, verën e vitit 2018, ai u kthye në Juventus.

Megjithatë, shumë tifozë të Juventusit nuk e kanë falur Bonuccin për shkak të mënyrës se si ai e kishte festuar një gol kundër Juventusit, gjatë kohës sa ishte pjesë e skuadrës së Milanit. Tani, italiani ka tentuar ta sqarojë këtë veprim të tij.

“Kjo ndodhi pas përvojës time me Matteon [djalin e tij që ishte i sëmurë]. Ishte një vit shumë i zënë për mua dhe unë përjetoja gjëra që po shkonin kundër meje. Ndieja se diçka më mungonte”, ka thënë Bonucci për Rai 1.

“Pastaj, me kalimin e kohës, e kuptova që në atë moment [të transferimit] nuk kisha qenë me mendje të kthjellët. Viti im në Milano më lejoi të rritem, por unë isha me fat që e pata mundësinë të kthehem dhe tani jam shumë i lumtur”.

“Unë merrja ofendime nga fëmijë 12-14 vjeçarë. Më vjen shumë keq për këtë. Nëse një transferim mjafton për gjëra të tilla, nuk mund ta imagjinoj çfarë mund t’u ndodhë fëmijëve. Kisha oferta të mira nga Kina, por i refuzova. Nuk ishin për mua”.

Komento: