Ka ardhur një lajm i keq për tifozët e Liverpoolit.
Pas fitores së mbrëmshme të Liverpool kundër Neëcastle United, me rezultatin 2:3, trajneri ka bërë të ditur pas ndeshjes për mungesat e skuadrës së tij në ndeshjen e ardhshme.
‘The Reds’ do të jenë nikoqirët e Barcelonës në ‘Anfield’ në kuadër të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve, ku duhet të përmbysin disavantazhin prej 3:0.
Në këtë ndeshje, Klopp ka konfirmuar se nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e sulmuesit Roberto Firmino.
“Ai nuk do të jetë i gatshëm për të martën, kurse për pjesën e mbetur, do të shohim” ka thënë gjermani.
Mungesa e brazilianit është një goditje e rëndë për skuadrën e Liverpool, e cila mbrëmë pa edhe Mohamed Salah të mbetej i shtrirë në fushë pas një lëndimi në kokë, që ia pamundësoi vazhdimin e ndeshjes.
Trajneri i skuadrës ka bërë të ditur se Firmino do të jetë në dyshim edhe për ndeshjen e fundit të Premierligës.
Mbetet të shihet se cilat do të jenë rotacionet e Klopp për ndeshjen e radhës në Ligën e Kampionëve, në tentativën e tij për një përmbysje të kampionëve të Spanjës.