Inspektorati Policor i Kosovës gjen shkelje në procesin e gradimit për rreshter

13:47 | 08 Korrik 2024
inspektorati-policor-i-kosoves-gjen-shkelje-ne-procesin-e-gradimit-per-rreshter

Inspektorati Policor i Kosovës, respektivisht Departamenti i Inspektimit ka publikuar Raportin e inspektimit të jashtëzakonshëm lidhur me “Vlerësimin e menaxhimit të procesit të gradimit për rreshter”.

Inspektimi është realizuar me kërkesë të Kryeshefit Ekzekutiv të IPK-së dhe është përqendruar në Departamentin e Burimeve Njerëzore të Policisë së Kosovës (përfshirë edhe Drejtorinë për Zhvillimin e Performancës dhe Karrierës), si dhe Komisionin e procesit të gradimit. Kërkesa për inspektim ka ardhur si rrjedhojë e shqetësimeve mbi numrin e konsideruar të ankesave të drejtuara në IPK lidhur me rregullsinë e procesit të gradimit për rreshter.

Qëllimi i inspektimit ka qenë të vlerësohet integriteti i procesit të gradimit dhe të hidhet dritë mbi rregullsinë e tij. Inspektimi ka ofruar mundësi për t’u njohur me identifikimin e pozitave të lira dhe analizën e nevojave për personel të graduar, respektimin e parimeve të trajtimit të barabartë të palëve, aplikimin dhe testimin, vendimmarrjen, transparencën, si dhe trajtimin e ankesave të palëve të pakënaqura.

Gjetjet e këtij inspektimi janë me interes për strukturën përkatëse policore, përfshirë nivelin ekzekutiv, drejtues dhe atë administrativ.

IPK në kuadër të Raportit ka dhënë tetë ( rekomandime, që kanë të bëjnë me nevojën e rishikimit të harmonizimit të bazës ligjore që rregullon procedurën e gradimit për zyrtarët policor me periudhën e realizimit të trajnimit themelor, përfshirjen e plotë të kritereve të aplikimit në kuadër të shpalljeve të proceseve të gradimit, aplikimin e masave kufizuese të aplikimeve në sistemin e menaxhimit të burimeve njerëzore (PRIMS), respektimin e parimit të përfshirjes në panele vlerësuese edhe të anëtarëve nga radhët e komuniteteve tjera etnike, përgatitjen më të mirë teknike të procesit të testimit me shkrim, etj.

PK pret nga Drejtori i Përgjithshëm të Policisë së Kosovës që të ndërmarrë veprime për të evituar çfarëdo dobësie apo lëshimi në këtë proces të gradimit, duke e konsideruar Raportin e inspektimit si pasqyrues të gjetjeve që mund të kenë dëmtuar kredibilitetin e mbarëvajtjes së procesit në fjalë. Lidhur me rezultatin e inspektimit duke përfshirë edhe rekomandimet e dhëna, të gjithë të interesuarit mund të kenë qasje në Raportin e plotë të inspektimit, i cili është i publikuar në faqen zyrtare të IPK-së./Front Online/

Komento: