Arratisja nga Smrekonica konsiderohet alarm dhe tregues se menaxhimi i burgjeve është në gjendje të rëndë

17:28 | 08 Korrik 2024
arratisja-nga-smrekonica-konsiderohet-alarm-dhe-tregues-se-menaxhimi-i-burgjeve-eshte-ne-gjendje-te-rende

Ishte dënuar me 25 vite burgim, por Faton Hajrizi, arriti që për brenda 17 vite e pesë muaj burgim të arratiset për herën e nëntë dhe të ikë nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë.

Ndonëse, do të duhej të mbante edhe shtatë vite e gjysmë burg, Hajziri  nuk priti edhe këto vite, por arriti që të arratiset edhe një herë tjetër.

Arratisja e tij ka ngjallur reagime të ndryshmee nga organet e drejtësisë në vend por edhe nga shoqëria civile e nga njohës të sigurisë.

Nga Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes e kanë komentuar për FrontOnline, arratisjen e Hajrizit, të cilët e konsiderojnë rënie të sigurisë nepër burgje dhe kërkojnë dënim për personat që kanë mundur të kenë pasur implikme me rastin.

 

Sadikaj i SSHK-së për arratisjen e Hajrizit: Nga Smrekonica mundet me dalë gjithkush

Kryetari i Sindikatës së Shërbimit Korrektues, Zenun Sadikaj, nuk e sheh si ikje arratisjen e Faton Hajrizit nga Qendra Korrektuese e Smrekonicës. Për të është largim nga kjo qendër dhe jo ikje.

‘’Aty mundet gjithkush me dalë. Kur dojnë munden me u largu prej aty. Kjo është largim dhe jo ikje. Ikje është nëse ik nga Dubrava. Në Smrekonicë nuk ka ikje, ka largim’’, deklaron ai.

Ai nuk e sheh shumë problem nëse dikush largohet sipas tij nga QKS-ja.

‘’Nuk është aq problem, shkon punon, pa oficer, pa askënd. Nuk është problem me u largu, jo me ik, me u largu’’ thekson ai.

Sadikaj, thotë se ka një dallim mes ikjes dhe largimit nga Qendra Korrektuese e Smrekonicës, derisa thotë se ikje mund të konsiderohet nëse dikush ikë nga Burgu i Dubravës.

‘’Ikja dhe largimi dallojnë. Ikja është kur ka pengesa, mure mbrojtëse, xhemba si Dubrava, a në Smerkonicë është ndryshe’’ shprehet ai.

 

 

Berisha: Fakti i arratisjes së personave nga burgu, tregon se ka rënë siguria nëpër burgje

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, aktualisht anëtar i Komisionit për Mbrojtje dhe Çështje të Sigurisë, thotë se fakti që munden me ikë njerëzit nga burgu, tregon se ka rënë siguria nëpër burgje.

‘’Fakti që munden me ikë edhe njerëz që konsiderohen të rrezikshmërisë së lartë, tregon se ka rënë siguria nëpër burgje. Përndryshe nuk ka mundësi me u larg nga burgu sepse konsiderohet si institucioni i vetëm që mundet me i mbajte brenda vetës ose me i izolua njerëzit që kanë vepra penale. Dhe unë e shoh këtë në kontekst të asaj tërheqjes së armëve të gardianëve’’ thotë ai.

Berisha, thotë se nëse Qendra Korrektuese e Smrekonicës, qenka si burg i sistemit të hapur dhe njerëzit munden me ikë nga aty, këtu është edhe një skandal tjetër.

‘’Në qoftë se Burgu i Smrekonicës është burg i hapur edhe tash një person që është dënuar për vepra dhe tash qenka burg i hapur, ky është edhe një skandal tjetër’’ thekson ai.

Berisha, potencon se ikja e të burgosurve nuk është standard, por kjo tregon rënien e nivelit të shërbimeve.

‘’Problemi është se edhe në burg të hapur ose të mbyllur, ikja e të burgosurve nuk është standard brenda burgjeve, por është rënie e nivelit të shërbimeve’’ thotë ai për FrontOnline.

 

 

Deputeti Galushi: Të gjenden shkaktarët e arratisjes, nëse ndodhi me qëllim të ketë dënim

Deputeti Erxhan Galushi, njëherit anëtar i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, për FrontOnline thotë se nuk është diskutuar akoma çështja e arratisjes së një të burgosuri në komisionin e tyre.

Deputeti Galushi: Nëse dikush arratisjen e ka bërë me qëllim, duhet të denohet

‘’Nuk e kemi diskutuar këtë çështje’’ thotë ai.

Galushi, potencon se është shqetësuese një arratisje e tillë, derisa thotë se duhet gjenden sa më parë shkaktarët e arratisjes.

 ‘’Sipas mendimit tim është shqetësuese dhe uroj që sa më parë të gjendën shkaktarët e arratisjes, nëse ka dikush që e ka bërë me qëllim, e meriton të dënohet patjetër’’ thekson ai.

Deputeti Galushi, shprehet se nëse ka ngecje të ndonjë mase, duhet shtohet ajo masë që të mos ketë më raste të tilla.

‘’Nëse ka ngecje në ndonjë masë aty duhet të shtohet në mënyrë që herave tjera të mos ndodhë’’ deklaron ai për FrontOnline.

 

Elezi: Alarm serioz për SHKK-në arratisja nga burgu, kjo tregon se menaxhimi i burgjeve është në situatë të rëndë

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi, për FrontOnline, e konsideron alarm serioz arratisjen e një të dënuari nga Qendra Korrektuese e Smrekonicës.

‘’Arratisja e njërit prej personave që konsiderohet me rrezikshmëri të lartë nga një qendër siç është ai i Smrekonicës, është alarm serioz sa i përket qendrave të SHKK-së’’ thotë ai.

Elezi, thotë se për këtë ka një vlerësim dhe protokoll se si duhet bërë vlerësimi i sigurisë dhe përcaktimi për vendin se ku i burgosuri do të vuaj dënimin.

‘’Duke filluar nga vendimi apo vlerësimi i shkallës së sigurisë, kur dihet se ka një procedurë, një protokoll për personat që kanë një vuajtje të dënimit dhe ai protokoll ka paraparë që të kemi një vlerësim sigurie dhe përmes atij protokolli duhet përcaktohet vendodhja apo vendi ku do ta vuaj dënimin’’ thekson ai.

Ai thotë se në rastin konkret, dhe rasti si i Enver Sekiraqës, tregojnë se se menaxhimi i burgjeve është në situatë të rëndë, duke kërkuar kështu përgjegjësi nga hiarkia e SHKK-së.

‘ Në rastin konkret, përkundër faktit që kemi pasur të bëjmë me një person me rrezikshmëri të lartë, kishte arritur që i njëjti të përfitoj nga lehtësirat në burg, po ashtu të përfitoj për vikend dhe për përftimet tjera. Kjo ikje dhe ikja e më parshme e Sekiraqës. është tregues i saktë se menaxhimi i burgjeve dhe qendrave është në një situatë të rënd dhe këtu duhet pasur përgjegjësi tek struktura udhëheqëse e SHKK-së, sepse është një përgjegjësi nga i pari e deri tek roja atje’’ thekson Bedri Elezi.

 

Ndryshe  Shërbimi Korrektues i Kosovës ka lëshuar një komunikatë në lidhje me arratisjen e Faton Hajrizit nga Qendra Korrektuese në Smrekonicë. SHKK ka thënë se pasi viteve të fundit Hajrizi kishte shfaqur sjellje të mira i është realizuar disa herë e drejta e punimit jashtë institucionit korrektues.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin publik se i dënuari F.H ka qenë larguar disa herë në të kaluarën nga institucionet korrektuese. Megjithatë, vitet e fundit ka shfaqur sjellje të mira dhe ka respektuar të gjitha rregullat e rendit shtëpiak. Gjatë qëndrimit në Qendrën Korrektuese në Dubravë, ai ka përfunduar shkollimin e mesëm të lartë, ka marrë pjesë në programe rehabilituese dhe aktivitete rekreative. Bazuar në këto sjellje, ai ka kaluar në trajtim të avancuar dhe ka realizuar disa herë të drejtën e pushimit jashtë institucionit korrektues.”

SHKK thotë se ai e kishte kërkuar transferimin në Smrekonicë dhe se ishte në proces të avancuar të risocializimit.

“I dënuari kishte kërkuar transferim në Qendrën Korrektuese në Smrekonicë, dhe bazuar në raportet profesionale, ai ka treguar sjellje të mira dhe ishte në proces të avancuar të risocializimit.”

Shërbimi Korrektues ka treguar se cilat janë kriterët që duhet të plotësohen që një i dënuar të vendoset në një institucion të tipit të hapur:

– Janë shfrytëzues të benificioneve;

– Nuk kanë vepra të tjera në pritje për ekzekutim

– Kanë dënim deri në 10 vite apo mbetje të dënimit deri në 10 vite.

Sipas SHKK’së, Hajrizi ka mbajtur 17 vjet e 5 muaj dënim dhe i kanë mbetur edhe 7 vjet e gjysmë.

“I dënuari F.H deri më tani ka mbajtur 17 vite e 5 muaj të dënimit, ndërsa kishte mbetje të dënimit prej 7 vite e 6 muaj. Ai ka shfrytëzuar disa herë të drejtën e benificionit të vikendit në shtëpi, hera e fundit e kthimit nga vikendi ishte më 03.07.2024. Po ashtu, ai kishte parashtruar kërkesën për punësim jashtë institucionit korrektues.”

SHKK ka thënë se Qendra Korrektuese në Smrekonivë ka elemente të ulëta të sigurisë fizike dhe materiale, ku sjellja e të dënuarve bazohet në vetëdisiplinë dhe përgjegjësi morale.

“Largimi i tij ka ndodhur nga Qendra Korrektuese Smrekonicë, institucion ky i tipit të hapur dhe me elemente të ulëta të sigurisë fizike dhe materiale, ku sjellja e personave të dënuar bazohet në vetëdisiplinën dhe përgjegjësinë personale.”

Shërbimi Korrektues ka thënë se arratisja ka ndodhur më 6 korrik, në ora 01:06 dhe se janë pezulluar përkohësisht zyrtarët korrektues.

“Rasti ka ndodhur më 06.07.2024, ora 01:06 pas mesnate. Zyrtarët korrektues janë pezulluar përkohësisht deri në përfundimin e hetimeve, pasi dyshohet se nuk e kanë vërejtur në kohë largimin e të dënuarit përmes monitorimit të kamerave.”

“Lidhur me këtë rast, Inspektorati i Ministrisë së Drejtësisë dhe Shërbimi Korrektues janë duke zhvilluar procedurat hetimore, dhe posa të përfundojë procesi, do të njoftoheni me të gjeturat.”

Hajrizi ka postuar një video në rrjetin social “TikTok”. Ai është shfaqur me një maskë në fytyrë pasi siç tha ai, ka pasur një lëndim në faqe derisa është arratisur. Hajrizi paralajmëroi se do të dalë pa maskë në ditët në vijim dhe do të hyjë live në “TikTok”.

Ai tha që nuk është ashtu siç e pasqyron policia.

“I falënderoj shumë përkrahësit e mi jashtë mase, edhe ata që bëjnë kritika ju përgjigjna pozitivisht, kqyrne mirë jetën tem, ka njerëz që e dinë në detaje jetën tem. Nuk jam ai që policia e pasqyron. Unë jam Faton Hajrizi i cili jam kanë 14 vjeçar në luftë. Unë jam Faton Hajrizi i cili kam vepruar në anën e Ibrit 2006-2007 për të mirën e këtij vendi, unë i kam shti me ikë rojet e Ibrit, unë vetëm. S’po du me u livdu hic për kurgjë, po du me thon që unë nuk jam armik i popullit, unë e du shtetit po shtetin qysh duhet, jo shtetin e sotit. Ju e dini mirë që unë burgun e kom kry qe një vit e gjysmë, u dasht me kanë në liri… Nuk është normale unë me i mbajt 23 vite burg, 15 vjeçar kam rënë në burg e 40 vjeçar jam sot”. Me ardhë mbikëqyrësi që në kohën e Serbisë ka qenë oficer e më m’thanë mu qu prej gjumit në ora 09:00, 11:00 e ora 18:00. Nuk është në rregull pse mem provoku ai mua.”

“Me ardhë mbikëqyrësi që në kohën e Serbisë ka qenë oficer e më m’thanë mu qu prej gjumit në ora 09:00, 11:00 e ora 18:00. Nuk është në rregull pse mem zajabat ai mua. Kur bëhet fletërreshtimi, mbikqyrësi vjen e i numëron të burgosurit zyrtarisht po jo me qit provoikime nënstop. Nuk është në rregull, qito mu më kanë shti me marr këtë vendim dhe me dalë ëprkohësisht në liri. Unë jam i sigurt që pjesën e mbetur, edhe pse nuk pajtohna me këtë drejtësi, ka mu kthy e me mbajt, e di unë kur, kur e shoh që ka ligj, rend dhe pjekën kushtet. Personalisht kam vërejtje të mëdha në burgun e Smrekonicës në tip te hapur, aty unë kam nejt 1 mu je gjysmë asnjëherë s’jam ngi ushqim aty. Avni Miftari ka ardhë prej burgut të Dubravës vec me ia rëndu të burgosurve jetën, qet ligje pa ligj.”

“Nuk jam i armatosur, nuk jam në Kosovë për momentin, po frikë nga unë nuk keni”, tha ai./FrontOnline/

 

Komento: