
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se vendi i saj kërkon garanci nga partnerët ndërkombëtare për zbatimin e detyrimeve që dalin nga marrëveshja e Ohrit.
Osmani iu referua kryesisht çështjes së Asociacionit, pikës më të nxehtë në mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë.
Ajo në një intervistë për Zërin e Amerikës, ka folur për garanci për sigurinë, e mbështetje ndërkombëtare për anëtarësim e Kosovës në organizata ndërkombëtare, çka do të sillte siç ka thënë, më shumë paqe e siguri në rajon.
Presidentja ka shtuar se Kosova nuk po kërkon t’i largohet detyrimeve të saj, por që të ketë sikurse tha “zbatim paralel të marrëveshjes së arritur në Bruksel, e njohur si Marrëveshja bazike dhe Aneksi i Ohrit, ku ka detyrime për Kosovën, por dhe detyrime të qarta për Serbinë, të cilat në tërësinë e tyre nënkuptojnë njohje de fakto të Republikës së Kosovës”.
Të martën, Departamenti amerikan i Shtetit organizoi një takim për Gratë, Paqen dhe Sigurinë ku mori pjesë edhe presidentja Osmani.
Zyra e presidentes Osmani është përzgjedhur në mesin e 3 partnerëve global nga zyra e sekretarit Blinken për të themeluar Qendrën Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë në Kosovë.