
Projektligj për KPM-në është votuar lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, në seancën e sotme.
Projektligji me 93 amendamente, i cili parasheh licencimin e mediave online, monitorim e tyre dhe gjoba deri në 40 mijë euro është konsideruar i dëmshëm, pasi rrezikon të cenojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave.
Përkundër kësaj, ai tashmë është shndërruar në ligj, pasi pushteti e votoi me 59 vota pro, derisa dy abstenuan.
Shqetësime për Projektligjin kishin shprehur edhe nga Bashkimi Evropian. Zyra e BE-së në Kosovë kishte deklaruar se ky projektligj se nuk reflekton shumicën e rekomandimeve nga Opinioni Ligjor i Këshillit të Evropës.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë pati thënë është për keqardhje që nuk janë marrë parasysh rekomandimet e saj për projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media.
Shqetësim për këtë projektligj shprehu edhe komisioneri për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Evropës, Michael O’Flaherty. Ai në një deklaratë për gazetën online Reporteri.net, ka deklaruar se projektligji për Komisionin e Pavarur për Media rrezikon të cenojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave.
Ai ka thënë se pavarësisht disa ndryshimeve, projektligji i propozuar i KPM-së ende nuk përfshin disa rekomandime kyçe nga Këshilli i Evropës në opinionin e vet ligjor.
“Nëse miratohet, ligji rrezikon të cenojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias për shkak të qëllimit të tij të paqartë, përkufizime të paqarta, sanksione të paparashikueshme dhe dispozita problematike për dezinformimin dhe përmbajtjen e dëmshme”, ka thënë O’Flaherty për gazetën online Reporteri.net.
Në muajin maj, AGK-ja i kishte kërkuar Kuvendit që ta përmirësojë projektligjin për KPM-në pas reagimit nga Këshilli i Evropës.
“Aspektet kryesore të kritikuara nga Këshilli i Europës janë: ndryshimi i projektligjit për KPM-në pa koncept dokument në kundërshtim me rregulloren e qeverisë, mënyrën e definimit dhe rregullimit të mediave online, ndryshimet rrënjësore në përbërjen, emërimin, mandatin dhe shkarkimin e anëtarëve të KPM-së, largimin e kufizimit ligjor që në të kaluarën ia pamundësonte partive politike dhe bashkësive fetare hapjen e televizioneve dhe radiove dhe mungesën e transparencës gjatë nismës legjislative”, thuhet në njoftimin e AGK-së të publikuar më 27 maj.
Në anën tjetër, dy partitë opozitare kanë paralajmëruar se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media (KPM). /Reporteri