Ndërhyrja e Kurtit i përçau shqiptarët në Luginë, rrezikon t’i rikthejë serbët në pushtet në Bujanoc

08:38 | 13 Korrik 2024
nderhyrja-e-kurtit-i-percau-shqiptaret-ne-lugine,-rrezikon-t’i-riktheje-serbet-ne-pushtet-ne-bujanoc

Kanë kaluar më shumë se një muaj nga mbajtja e zgjedhjeve lokale në Luginë të Preshevës, përderisa kanë mbetur më pak se tri javë afat ligjor për zgjedhjen e kryetarëve të Preshevës dhe Bujanocit.

Partitë politike shqiptare në Bujanoc dhe Preshevë në prag te konstituimit të organeve të reja lokale janë më të përçara se kurrë, ku kontribut në një përçarje të tillë dha edhe shefi i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, i cili pak ditë para zgjedhjeve të 3 qershorit ftoi qytetarët e Preshevës që ta votojnë këshilltaren e tij, Ardita Sinanin për kryetare të Komunës, ndërsa qytetarët e Bujanocit i ftoi ta votojnë Ragmi Mustafin, i cili është këshilltar politik i zëvendësit të tij, Besnik Bislimit.

Derisa Sinani doli e para në Preshevë, Mustafi mbeti i katërti në Bujanoc.

Në Bujanoc më së shumti vota në zgjedhjet e 3 qershorit fitoi kandidati i koalicionit “Fronti për Ndryshim”, Arbër Pajaziti, por për t’u zgjedhur në krye të Komunës i nevojiten së paku 21 vota të këshilltarëve, nga 8 sosh sa i ka fituar në zgjedhje.

Partitë shqiptare në zgjedhjet e fundit kanë fituar 26 ulëse në asamblenë lokale të Bujanocit, mirëpo 40 ditë pas përfundimit të zgjedhjeve nuk po arrijnë të unifikohen për zgjedhjen e strukturave të reja lokale. Në një situatë të tillë, për zgjedhjen e kryetarit të ri të Bujanocit do të futen në lojë partitë serbe, të cilat kanë qenë në opozitë gjatë mandatit të fundit.

Fituesi i zgjedhjeve në Bujanoc, Arbër Pajaziti, thotë për Front Online se janë partitë serbe ato që vendosin për kryetarin e ri të Komunës, pasi që sipas tij, tri partitë tjera shqiptare nuk po duan të komunikojnë me fituesin e zgjedhjeve.

Arbër Pajaziti: Partitë serbe do ta vendosin se kush do të bëhet kryetar i Bujanocit

Pajaziti tha se partitë shqiptare e kanë injoruar ftesën e tij për takim.

Ai është shprehur i gatshëm të bëjë koalicion me cilën do parti politike.

“Partitë shqiptare kanë refuzuar të bisedojnë me mua. Nuk janë shprehur që janë kundër një marrëveshjeje me fituesin e zgjedhjeve, por e kanë injoruar ftesën tonë. Ne i kemi ftuar në takim partitë serbe të cilët kanë qenë tri lista dhe një rome. Jemi të gatshëm më këdo me bërë koalicion”, thotë Pajaziti.

Pajaziti thotë se shkaku i mos realizimit të takimit me partitë shqiptare është për shkak një marrëveshjeje të cilën e ka refuzuar.

Sipas Pajazitit, partitë serbe janë ata të cilët do ta vendosin kryetarin e komunës.

“Ata po refuzojnë se po thirrën me një marrëveshje që e kanë nënshkruar në Këshillin Nacional që ka qenë parazgjedhore për koalicion pas zgjedhor që unë kam refuzuar ta nënshkruaj atë marrëveshje. Partitë serbe janë ata të cilët do ta vendosin kush do të bëhet kryetar komune apo si do të duken institucionet e reja lokale”, vlerësoi ai.

Tri partitë politike në Bujanoc, Lëvizja e Progresit Demokratik, Partia Demokratike dhe Partia për Veprim Demokratik para zgjedhjeve kanë nënshkruar një marrëveshje se cila prej tyre fiton më së shumti vota në zgjedhje do të udhëheq më Komunën. Mirëpo, një marrëveshje të tillë kishte refuzuar ta nënshkruaj Pajaziti, i cili fitoi më së shumti vota në zgjedhjet e fundit.

Nagip Arifi: Shqiptarët do jenë shumicë në asamblenë komunale të Bujanocit

Kryetari aktual i Bujanocit, Nagip Arifi edhe pas mbajtës së zgjedhjeve të 3 qershorit,

thotë se nuk janë mundësitë që shqiptarëve t’iu rrezikohet pushteti në Bujanoc.

“Nuk ka mundësi të rrezikohet pushteti në Bujanoc. Pas zgjedhjeve të  qershorit numri i asamblistëve shqiptar dhe atyre serb është i njëjtë si në zgjedhjet e 2020-tes, nga 41 këshilltar që i ka asambleja komunale e Bujanocit, 26 janë të partive politike shqiptare 13 të partive serbe dhe 2 të nacionalitetit romë”, u shpreh Arifi.

Arifi është i bindur që shumica në asamblenë komunale do jetë shqiptare.

“Jam i bindur që organet kryesore të asamblesë komunale kryetari i kuvendit dhe komunës do të jetë shqiptar. Shumica në asamble në përbërjen e ardhshme do të jetë shqiptare”, thotë Arifi.

Mustafi: Ne mbështesim kandidatët që nuk mashtrojnë e nuk përfaqësojnë narracionin e Beogradit për Bujanocin

Ragmi Mustafi nga Partia për Veprim Demokratik, njëherësh këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, ka folur për Front Online lidhur me zgjedhjet e fundit në Bujanoc.

Mustafi tha se partia është përcaktuar ti mbështes shqiptarët e kandidatët që nuk mashtrojnë e nuk përfaqësojnë narracionin e Beogradit për Bujanocin.

“Partia për Veprim Demokratik sipas vendimeve të kryesisë është e përcaktuar të mbështes shqiptarët. Në veçanti kandidatët që nuk gënjejnë, nuk mashtrojnë, nuk shpifin, nuk vjellin, nuk trillojnë dhe nuk përfaqësojnë narracionin e Beogradit për Bujanocin”, theksoi Mustafi.

Front Online ka kontaktuar edhe liderin e Lëvizjes së Progresit Demokratik në Bujanoc, Shqiprim Musliun, i cili ka fituar 7 ulëse në asamblenë e Bujanocit, mirëpo ai nuk është përgjigjur në pyetjet e portalit.

Përdallim nga Bujanoci, në Preshevë ka dalë fituese e zgjedhjeve këshilltarja e Kurtit, Ardita Sinani, por partitë politike tjera shqiptare po refuzojnë të bashkëqeverisin me të, rrjedhimisht që të bëjnë koalicion që ajo ta drejtojë Komunën e Preshevës./Front Online/

Komento: