Dita e fundit: Kosova dhe Serbia duhet t’i dorëzojnë sot komentet për zbatimin e marrëveshjes bazike

07:32 | 18 Korrik 2024
dita-e-fundit:-kosova-dhe-serbia-duhet-t’i-dorezojne-sot-komentet-per-zbatimin-e-marreveshjes-bazike

Serbia e kërkon Asociacionin, ndërsa Kosova njohjen ‘de facto’. Marrëveshja ka mbetur pa u zbatuar, ndërsa BE-ja po kërkon ta gjejë një mënyrë që kjo të ndodh.

Në takimin e fundit ndërmjet kryenegociatorëve Besnik Bislimi e Petar Petkoviq më 2 korrik, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak kërkoi nga palët që t’i dërgojnë komentet e tyre deri më 18 korrik.

Që i bie, dy shtetet, Kosova dhe Serbia sot e kanë afatin e fundit që t’i çojnë idetë e tyre në Bruksel.

Klisman Kadiu, këshilltar i Bislimit, tha të martën se Qeveria do t’i dërgojë komentet brenda afatit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës do t’i dorëzojë komentet e saj me shkrim mbi dokumentin e planit të sekuencimit, brenda kohës së paraparë, pra 18 korrikut, sipas kërkesës së emisarit Lajçak”, tha ai për Kohën.

Kadiu tha se vitin e kaluar dhe këtë vit, Kosova “ka paraqitur propozime konkrete dhe komente për secilën pikë, të versioneve të planit të sekuencimit, duke dëshmuar konstruktivitetin, si dhe gatishmërinë e vullnetin për zbatim të marrëveshjeve”.

“Që marrëveshjet të zbatohen në plotni, duhet po e njëjta qasje dhe nga pala tjetër, gjë e cila deri më tash, fatkeqësisht ka munguar”, tha ai.

Në bazë të komenteve që do të dërgohen prej të dyja palëve, ndërmjetësit europianë do ta nxjerrin një propozim të ri për zbatimin e marrëveshjes, siç tha Bislimi më 2 korrik.

Atë ditë, Bislimi dhe Petkoviq qëndruan në Bruksel deri vonë. Atje kishin shkuar për ta gjetur një zgjidhje për mënyrën e zbatimit të Marrëveshjes Bazike.

Komento: