Njohja e pasaportave ilegale nga BE-ja/ Serbia e numëron si fitore, për Kosovën debakël

15:02 | 22 Korrik 2024
njohja-e-pasaportave-ilegale-nga-be-ja/-serbia-e-numeron-si-fitore,-per-kosoven-debakel

Këshilli i Bashkimit Evropian ka marrë vendim që t’ua liberalizojë vizat serbëve të Kosovës që mbajnë pasaporta të Serbisë e që lëshohen nga Drejtoria Koordinuese e shtetit serb, ku sipas të cilave Kosova është pjesë e Serbisë.

Vitin e kaluar zëvendëskryeministri Besnik Bislimi kishte deklaruar se “njohja e këtyre dokumenteve e minon integrimin e komunitetit serb” dhe “i dëmton përpjekjet tona të kahershme [për integrimin e serbëve]”.

Kosova nuk i njeh pasaportat në fjalë dhe mbajtësit e tyre nuk mund të fluturojnë me to nga Aeroporti i Prishtinës.

Në anën tjetër, ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, e përshëndeti vendimin e fundit të Këshillit të BE-së.

“Një fitore e vogël, por e rëndësishme për të drejtat e njeriut të serbëve në ‘Kosovë dhe Metohi’”, shkroi Gjuriq në platoformën X.

Qeveria e Kosovës: Vendim i ngutshëm i BE-së, pasaportat e tilla nuk njihen nga autoritetet kosovare

Qeveria e Kosovës ka reaguar zyrtarisht pas vendimit të Bashkimit Evropian me të cilin u liberalizuan vizat për serbët e Kosovës me pasaporta ilegale serbe.

Klinsman Kadiu, këshilltar i zv/kryeministrit Besnik Bislimi, ka thënë se me këto pasaporta, shkelet integriteti territorial dhe sovraniteti i Kosovës.

“Shprehim zhgënjimin tonё me vendimin e marrë nga Bashkimi Evropian në lidhje me “liberalizimin e vizave” për mbajtësit e pasaportave ilegale të lëshuara nga autoritetet serbe, për qytetarët serb të Kosovës. Cilido vendim i Bashkimit Evropian, nuk e zhbën faktin që ato pasaporta vijojnë të mbeten ilegale, në shkelje të plotë të integritetit territorial dhe sovranitetit të shtetit tonë, e rrjedhimisht të papranueshme për Republikën e Kosovës. Ato pasaporta, do të vazhdojnë të mos njihen nga autoritetet tona”, u shpreh ai.

Sipas Kadiut, vendimi ka qenë i ngutshëm dhe pa i vërtetuar faktet në terren.

“Andaj, justifikimi i përdorur se bartësit e këtyre pasaportave ilegale do të mbeten të izoluar, është i pasaktë dhe në shpërputhje me realitetin. Poashtu, e pashpjegueshme është dhe ngutia e shfaqur për marrjen e këtij vendimi, pa vërtetuar faktet në terren, pa analizuar implikimet qё munden dhe do tё pёrcjellin zbatimin e vendimit, dhe pa konsultuar që nga fillimi institucionet e shtetit tonë”, thuhet në reagimin e Kadiut për mediat.

“Republika e Kosovës po zbaton politika në fusha të ndryshme, të cilat po i sjellin qytetarët më pranë institucioneve, e gjersa dhe me liberalizimin e vizave për Kosovën, pati rritje të ndjeshme e të prekshme të qytetarëve nga komuniteti serb të cilët u pajisën dhe po pajisen me dokumentat e Republikës sonë”, tha mes tjerash ai.

Hoxha: Vendimi i BE-së, favor për Serbinë

Ish-zv/ministri i Brendshëm i Kosovës, Valdet Hoxha, në një prononcim për Front Online tha se vendimi i BE-së për heqjen e vizave për qytetarët serb që mbajnë pasaporta të tilla  është një favor që po i bëhet Serbisë për t’u afruar me Bashkimin Evropian.

“Është një veprim politik në kuptim të integrimit të serbëve, krijimit të një hapësire të Serbisë për t’iu kthyer normalitetit. Është një veprim jo i bazuar në standarde të njëjta, siç janë vendosur ndaj Kosovës është një favor politiko-diplomatik që po i bëhet Serbisë që t’i afrohet Bashkimit Evropian”, u shpreh Hoxha.

Haliti: Njohja e pasaportave serbe, mesazh i BE-së për Asociacionin

Zv.kryetari i parë i Komisionit Parlamentat për Punë të Jashtme nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti ka folur për Front Online lidhur me vendimin e BE-së për heqjen e vizave për qytetarët serb, të cilët mbajnë pasaporta ilegale.

Haliti thotë se BE-ja po i jep mesazh Kosovës që nuk e mbanë askënd të izoluar.

Ai e ka vlerësuar se ky është një sinjal që të dyja palët t’i normalizojnë marrëdhëniet.

“BE po insiston fillimin e zbatimit të marrëveshjes që nënkupton Asociacionin dhe të tjerat. Është një mesazh që i jepet politikës në Kosovë që BE nuk e mbanë askënd të izoluar. Duke pas reagime të qeverisë ndaj Asociacionit ata kanë marr një vendim për qytetarët që duan të udhëtojnë në Evropën Perëndimore me pasaportat që ua lëshon Serbia. Është mesazh shtesë që duhet me ndërmarrë hapa më të shpejtë të dyja palët për ti normalizuar marrëdhëniet”, thotë Haliti.

Arifi: Kosova në sytë e BE-së ka dështuar në integrimin e minoritetit serb

Ish-koordinatori për dialogun Kosovë-Serbi, Avni Arifi e ka cilësuar si goditje për Kosovën heqjen e vizave nga BE-ja për qytetarët serb të Kosovës, të cilët posedojnë pasaporta të Serbisë.

Arifi thotë se Kosova ka dështuar në sytë e Bashkimit Evropian në integrimin e minoritetit serb.

“Kjo është edhe një goditje për Kosovën dhe një konfirmim se Kosova në sytë e BE ka dështuar në integrimin e minoritetit serb. Çdo ditë e më shumë tek këto vende po e shohin pozicionin e këtij minoriteti në pozicion shumë më të keq sesa që është fal një politike tërësisht joefikase të Kosovës në raport me BE”, deklaroi Arifi.

 

Komento: