
Isak Shabani, anëtar i Komisionit për Medie tha për “Front Online” se qeveria “Kurti” po tenton kapjen e Radio Televizionit të Kosovës.
Ai lidhur me lajmin e publikuar në RTK nga një medium të quajtur “Slobodna Bosna” e që akuzojnë medie në Kosovë që, sipas tyre, “janë nën kontroll të Serbisë dhe Vuçiqit”, thotë se mediumi publik asesi nuk do duhej të bazohej në ‘fakenews’.
“Po e shoh që ka reagime gjithë kombëtare lidhur me këtë lajm të publikuar në RTK. Mediumi publik në veçanti nuk duhet të bazohet në fakeneës, por t’i vërtetojnë faktet për ato çfarë publikojnë. Çdo gjë duhet të jetë transparente por jo të biejnë në ndikimin e gjërave të cilat mund të konfirmohen”, tha anëtari i Komisionit.
Sipas tij, mediumi publik po tenton të kapet nga Qeveria “Kurti”.
“Mediumi publik është pak i kapur nga pushteti. Jo vetëm RTK-në por çdo institucion që është i pavarur në Kosovë është duke tentuar të kapet nga pushteti”, theksoi ai.
Madje ai thotë se është dëshmitar gjatë intervistimit të anëtarëve të Bordit të meidumit publik, ku një kandidate me përgatitje të lartë profesionale është vlerësuar minimalisht.
“Unë kom pas rastin të jem në panel intervistues për anëtar të Bordit të mediumit publik, aty kam parë që një kandidate që ka qenë me përgatitjen më të lartë profesionale, që ishte befasi në atë komision ata e kanë vlerësuar me zero pikë. Atëherë e kam parë që këtu ka tendencë më të vërtetë për kapjen e RTK-së”, tha Shabani për Front Online.