QKUK-ja u bë me skaner PET/CT, por sfidë mbetet materiali shpenzues

13:01 | 01 Gusht 2024
qkuk-ja-u-be-me-skaner-pet/ct,-por-sfide-mbetet-materiali-shpenzues

Ka më shumë se një muaj që në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ka nisur të shfrytëzohet pajisja PET/CT për diagnostikimin dhe menaxhimin e llojeve të ndryshme të kancerit, por edhe të disa sëmundjeve të tjera.

E siguruar për herë të parë në shkurt, kjo pajisje ofron shërbime të kushtueshme mijëra euro, të cilat, deri më tash, pacientët është dashur t’i paguajnë në institucione private ose jashtë vendit, ndërsa në QKUK i marrin falas.

Sfidat, megjithatë, nuk mbarojnë këtu. QKUK-ja duhet ta sigurojë materialin e nevojshëm për PET/CT nga jashtë, pasi nuk e prodhon vetë.

E, materiali i tillë nuk ka jetë të gjatë, andaj kërkon transport të shpejtë dhe efikas.

Materiali shpenzues – sfidë

Për rrjedhojë, jo më shumë se pesë pacientë në javë mund të marrin shërbime me PET/CT.

Lista e pritjes ka arritur tashmë deri në fund të gushtit.

Drejtori i Shërbimit të Mjekësisë Nukleare në QKUK, Fakir Spahiu, tregon se materiali shpenzues për PET/CT, që përfshin izotopin radioaktiv, Flourine 18, sigurohet nga Turqia.

“Prodhuesi na furnizon një herë në javë. Kështu do të jetë për tre muaj, pastaj do ta rishqyrtojmë planin”, thotë ai.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se sjellja në Kosovë e Flourine 18, është sfidë më vete, marrë parasysh se jetëgjatësia e kësaj substance është e shkurtër.

Flourine 18 është një gjurmuese radioaktive, që injektohet në venë përpara procedurës me PET/CT, dhe e ndihmon profesionistin shëndetësor t’i shohë pjesët e trupit të pacientit.

Nëse nuk mbërrin me kohë dhe nuk ruhet në mënyrë të duhur, efektiviteti i saj humb, thotë Spahiu.

Ylli Kaçiu, fizikan i mjekësisë nukleare në QKUK, tregon se gjysmë-jeta e izotopit Flourine 18 është 109.7 minuta, që do të thotë se pas kësaj periudhe ai përgjysmohet.

Pra, çdo vonesë eventuale – qoftë e fluturimit të avionit apo e zhdoganimit të mallit – vjen me rrezikun e humbjes së efektivitetit, thotë ai.

Për mundësitë që Kosova ta prodhojë vetë këtë izotop, Kaçiu thotë se ekzistojnë, porse, paraprakisht, duhet “rritja e resurseve humane dhe trajnimi adekuat i profesionistëve”.

Prodhimi, shpjegon ai, bëhet nga një pajisje e quajtur ciklotron dhe Kosova nuk ka mjaftueshëm ekspertë të kësaj fushe.

“Shkollimi jashtë vendit i ekspertëve duhet të fillojë së paku një vit para se të startohet me prodhim, në mënyrë që të kemi garanci për kualitetin e produkteve finale”, thotë Kaçiu për Radion Evropa e Lirë.

Prodhimin e izotopit Flourine 18 nuk e bën as shumica e vendeve të rajonit./REL

Komento: