Pa takim trilateral në Bruksel, ZKM njofton çfarë folën Bislimi e Lajçak, përmendet edhe Ura e Ibrit

16:40 | 17 Shtator 2024
pa-takim-trilateral-ne-bruksel,-zkm-njofton-cfare-folen-bislimi-e-lajcak,-permendet-edhe-ura-e-ibrit

Zëvendëskryeministri Besnik Bislim, u takua në Bruksel me Përfaqësuesin Special të BE-së, Miroslav Lajçak, në kuadër të takimeve të parapara të procesit të dialogut.

Takimi u zhvillua në formatin bilateral, teksa për mungesën e takimit trilateral, Zyra e Kryeministrit në njoftimin për takimin tha se ishte për shkak të refuzimit të Serbisë që të marrë pjesë në një takim të tillë.

“Nga ana e saj, Kosova përmes kryenegociatorit, ka pranuar të mbahet takimi trilateral, sipas agjendës së paracaktuar nga ndërmjetësuesi, ku temë e vetme e diskutimit parashihej të ishte rruga përpara e zbatimit të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues”, thuhet në takim.

Në takimin me emisarin Lajçak, u diskutua mbi planin e sekuencimit dhe zbatimin e marrëveshjeve.

“Zëvendëskryeministri shprehu përsëri angazhimin konstruktiv dhe aktiv të Kosovës në zbatimin e marrëveshjeve dhe rrugën përpara si dhe komentimet nga ana e saj të drafteve të sekuencimit, teksa Serbia nuk ka bërë asnjë hap drejt saj, e pikësëpari as nuk e ka pranuar marrëveshjen”.

Tema të diskutimit ishin edhe çështja e personave të zhdukur me dhunë, telekomunikimi, IBM-ja e liria e lëvizjes.

Rreth çështjes së personave të zhdukur me dhunë, zëvendëskryeministri ripërsëriti destruktivitetin e Serbisë, e cila qëllimshëm po e zvarrit procesin duke paraqitur kërkesa të reja edhe pas dakordimit final.

Mbi lirinë e lëvizjes, zëvendëskryeministri e informoi Lajçak mbi lehtësimin nga ana e Qeverisë të konvertimit të patentë-shoferëve për qytetarët e komunitetit serb dhe mbështetjes së tyre në këtë proces.

Sa i përket urës mbi lumin Ibër, ZKM tha se edhe për BE-në “është e qartë që nuk ka alternativë tjetër përpos hapjes së urës”.

Zëvendëskryeministri shtoi se edhe në Raportet e Komisionit Evropian që pas vitit 2014, BE-ja shprehet se ura duhet të hapet, pa vonesa të mëtejme. Ai tha se kjo çështje tashmë është trajtuar e dakorduar në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut, dhe se ajo duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese, ku edhe cilësohet si simbol i normalizimit.

Komento: