Nesër një vit nga sulmi në Banjskë, Tahiri: Kosova vazhdon me qenë e izoluar dhe nën masa, për Serbinë asnjë ndëshkim të vetëm

18:05 | 23 Shtator 2024
neser-nje-vit-nga-sulmi-ne-banjske,-tahiri:-kosova-vazhdon-me-qene-e-izoluar-dhe-nen-masa,-per-serbine-asnje-ndeshkim-te-vetem

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se edhe pse nesër bëhen një vit nga sulmi në Banjskë të Zveçanit, Kosova po vazhdon të jetë nën sanksione, ndërsa Serbia s’e ka marrë as ndëshkimin më të vogël.

Para gazetarëve, Tahiri tha sot se ndëshkimi për Serbinë duhet të ishte i madh sa i përket këtij sulmi, pasi siç tha ai tashmë dihet se ata që kanë kryer këtë akt, janë njerëz të afërt me presidentin Aleksandar Vuçiq, e përkundër kësaj, ai tha se shteti ynë vazhdon t’i ketë në fuqi masat.

“Ju e dini që nesër bëhen një vit nga sulmi në Banjskë ku kemi humbur një polic, heorin Afrim Bunajku dhe fatkeqësisht vendi ynë vazhdon, me qenë i izoluar me sanskione dhe Serbia se ka marrë asnjë ndëshkim të vetëm, sado simbolik, e që realisht do duhej të ishte i madh sa i përket këtij sulmi. Edhe pse njerzit që e kanë kryer këtë sulm e dimë mirë se janë njerët të afërt me politikën në Serbi, presidentin e shtetit serb, dhe vazhdojmë ne t’i kemi masat e njëjta në fuqi”, tha Tahiri para gazetarëve, transmeton Reporteri.net

Sipas tij, dëmet për Kosovën po vazhdojnë të jenë të mëdha, ndërsa Serbia po amnistohet.

Ai shpreson që në zgjedhjet e 9 shkurtit, nën udhëheqjen e Bedri Hamzës, do të hiqen sanksionet dhe vendi do të dalë nga “humnera”.

“Fatkeqësisht dëmet për Kosovën vazhdojnë të jenë të mëdhaja, vendi vazhdon të jetë nën sanksione, e Serbia vazhdon të amnistohet. Vetëm një gjë e mirë është këtu jemi në fund të mandatit, dhe vitin e ardhshëm, kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza i cili do ta nxjerrë Kosovën nga sanksionet dhe nga kjo humnerë. Do të fillojë një agjendë zhvillimore, agjendë që do ta ketë prioritet koston financiare të qytetarit dhe do vazhdojë ta nxjerrë Kosoven nga sanksionet”, shtoi tutje shefi i grupit parlamentar të PDK-së.

Nesër bëhen një vit nga sulmi në fshatin Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë zyrtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Lidhur me sulmin e vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, dy javë më parë ngriti aktakuzë ndaj 45 personave. Prokurori i rastit, Naim Abazi kishte thënë se ky rast përfshin ngritjen e aktakuzës kundër një grupi të strukturuar kriminal të përbërë nga 45 persona të cilët dyshohen për veprat penale kundër rendit kushtetues juridik, kryerja e veprave terroriste, financim të terrorizmit dhe shpëlarje parash.

“Ndër të akuzuarit kryesor është edhe udhëheqësi kryesor i grupit, Milan Radoiçiq, cili ka luajtur rol të rëndësishëm në koordinimin dhe veprimtarinë kriminale”, kishte deklaruar Abazi.

Komento: